Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë, që nga denoncimi ynë në lidhje me dhunimin e një fëmije të mitur nga nëna, Policia e Durrësit është kujtuar për të reaguar.
Në njoftimin gjysmak të Policisë nuk bëhet e qartë nëse gruaja që dhunonte fëmijën në mënyrë kafshërore është shoqëruar apo jo. Policia bie në kundërshti me njoftimin që jep, pasi njëherë lë të kuptohet se gruaja në fjalë është kapur dhe shoqëruar, ndërsa pak më vonë ndryshon mendim dhe thotë se vijon puna për mbledhjen e informacioneve dhe identifikimin e saj.
Një njoftim i cunguar ngre shumë pikëpyetje rreth punës dhe seriozitetit të Policisë pasi kemi të bëjmë me një rast flagrant dhune, i paraqitur edhe me pamje filmike.
A mos ndoshta, Policia e Durrësit ka nevojë për një zëdhënës të ri për mediat? Ju si mendoni?
Njoftimi i policisë Durrës:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë referuar materialet në Prokurorinë e Durrësit, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas publikimit në rrjetet sociale, të videos ku shfaqej një shtetase duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës së saj të mitur, kanë organizuar punën në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e shtetases që shfaqet në video.
Vijojnë kërkimet, po kqyren kamerat dhe po grumbullohet informacion për të bërë të mundur identifikimin e shtetases.
Policia e Durrësit falenderon mediat që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton që të bashkëpunojnë me strukturat e Policisë, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të rasteve të paligjshmërive që ata ndeshin gjatë punës së tyre.