Investimet të gjitha në jug, qeveria lë në harresë rrugët kryesore të qendrës së Shqipërisë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 17.05.2023, 11:46

Qeveria shqiptare duket se e ka marrë shumë seriozisht tunelin e Llogarasë, por nga ana tjetër ka lënë në harresë rrugë, që përdoren më masivisht dhe gjatë gjithë vitit nga shqiptarët. Në katër muajt e parë të këtij viti qeveria shpenzoi 15.2 miliardë lekë për investime kapitale, ku një pjesë e madhe e tyre, saktësisht 3 miliardë lekë (27 milionë euro), shkuan për financimin e tunelit të Llogarasë. Kjo shifër përbën 20% të totalit.

Padyshim, kjo nuk është diçka negative, por prioriteti është i tillë. Qeveria po investon pjesën më të madhe të fondeve për një rrugë, që përdoret pasivisht vetëm 2-3 muaj në vit, në një kohë që rruga Shkozet-Plepa, që është “damari” kryesor i plazhit të Durrësit, Golemit dhe Kavajës, është gati e pakalueshme.

Këto tre vende presin numrin më të madh të vizitorëve, megjithëse nuk konsiderohen si plazhe luksi. Por mesa duket qeveria është kujdesur që fillimisht të krijojë infrastrukturën e duhur për të pasurit që shkojnë të pushojnë në skajin e jugut. Jo vetëm infrastruktura e zonës së Durrësit, por e gjithë qendrës së vendit është e mjerueshme aktualisht.

Rruga që nis nga Kamza dhe vazhdon në Fushë-Krujë, përveçse është në gjendje shumë të degraduar, është edhe një rrezik i madh për kalimtarët dhe udhëtarët e saj për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe shkujdesjes së qarkullimit. Ndërkohë, autostrada Tiranë-Durrës është gjithashtu një aks i mbushur me gropa.

Vitet e fundit fondet buxhetore për rrugët kanë shkuar në jug të vendit, me aksin Kardhiq-Delvinë, Qukës-Qafë-Plloçe, Korçe-Ersekë dhe së fundmi tunelin e Llogorasë që për vite të tëra po marrin pothuajse të gjitha fondet e programuara për rrugët. Nuk po themi që ato akse nuk duhej të ishin ndërtuar, por sikur shpërndarja e fondeve të ishte disi më e menaxhuar, as shoferët e qendrës së vendit nuk do të zhyteshin në gropa.

Në projektbuxhetin 2023 infrastruktura e qendrës së vendit është lënë pa financim, ndërkohë që projektet për rivitalizimin e saj kalojnë nëpër disa kontrata koncensionare PPP me kosto të larta dhe afate të gjata. As hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas nuk po përparon, një projekt që sipas afateve fillestare pritej të përfundonte vitin e kaluar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit