Sot akti i dytë i sfidës së “përbindëshave”, Guardiola dhe Ancelotti flasin para betejës së madhe

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 17.05.2023, 11:08

Mbrëmjen e sotme luhet akti i dytë i dy prej skuadrave më të forta të Europës. Pas barazimit të ndeshjes së parë me shifrat 1-1, Real Madrid dhe Manchester City do të përplasin brirët sot në 21:00 në “Etihad Stadium” për të përcaktuar atë që do të ndeshet me Interin në finale.

Trajneri i anglezëve, Pep Guardiola foli për mediat para ndeshjes dhe u shpreh se City duhet të luajë më mirë se në ndeshjen e parë nëse ka planifikuar të kualifikohet në finale.

“Emocionet janë dhe do të jenë në kufi, të tilla duhet të jenë. Duhet të përmirësojmë pak planin e lojës, të rregullojmë pak. Duhet të krijojmë më shumë shanse, të marrim më shumë topa në pozicione të favorshme, të mos lejojmë kundërshtarin të dalë lehtë nga mbrojtja në sulm, për cilësinë e tyre.

Ne luajmë kundër Real Madridit në gjysmëfinalen e Champions League, ky është kundërshtari më i fortë. Kjo është një sfidë dhe ne e pranojmë. Po bëjmë shumë mirë, jemi në finalen e FA Cup, një fitore larg titullit të Premier Ligës, por ne duhet të luajmë më mirë se Madridi.

Duhet të performojmë mirë dhe jo vetëm të tregojmë dëshirë. Duhet të relaksohemi, mbetet vetëm të bëjmë atë që kemi bërë për shumë vite. Duhet ta bëjmë këtë, dhe jo vetëm të kemi dëshirë për të arritur në finale. Duhet të luajmë më mirë se në Santiago Bernabeu për të arritur në finale”, u shpreh Guardiola.

Nuk mund të mungonte as fjala e Ancelottit para kësaj ndeshje, me trajnerin e Real Madrid, i cili shprehet se e di se i pret një ndeshje shumë e vështirë dhe se gjatë saj do të ketë ndjesinë se De Bruyne e Haaland do të shënojnë. Gjithsesi, italiani si gjithnjë është i qetë.

“Vitin e kaluar, krahu i Valverdes na lejoi të fitojmë Ligën e Kampioneve. Dhe këtë vit, Rodrigo na ka lejuar të arrijmë këtu pa humbur. Unë tashmë e kam marrë vendimin. Unë nuk i mendoj penalltitë. Nëse arrijmë, realiteti është se nuk mund të stërvitesh shumë. Sepse atmosfera në stadium nuk do të jetë e njëjtë me një seancë stërvitore. Ne po mendojmë të fitojmë ndeshjen.

Jam shumë i qetë, i emocionuar dhe me besim. Nesër e di ndjenjën dhe do të kem ndjenja të këqija, që Haland do të shënojë, që De Bruyne do të shënojë një gol nga jashtë zone… Do të duhet të mendoj për driblime të Vinit, se Karim do të shënojë… Nuk është e lehtë të arrish këtu dhe do ta shijojmë”, tha italiani.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit