Vijon procesi i votimit nëpër të gjithë vendin, ndërkohë që sa më shumë kalojnë orët, aq më shumë shtohen problematikat, që janë nga më të larmishmet.
Një qytetar ka sjellë ditën e sotme pamje nga hyrja e një qendre votimi në Yzberisht, në Bulevardin Migjeni. Në këtë zonë kanë vendosur një kontejner si qendër portative votimi, por kanë harruar diçka të rëndësishme.
SHIKO VIDEON E DËRGUAR NGA QYTETARI
E pozicionuar në një pjesë më të ngritur se rruga, KQZ ka harruar që qytetarëve u duhen shkallë për tu ngjitur në mbi një metër lartësi dhe për të hyrë më pas në qendrën e votimit.
“Kjo është situata në qendrën e votimit në Yzberisht, në Bulevardin Migjeni, tek objekti i ri i ndërtuar për të votuar. Nuk kanë vendosur as shkallë që të ngjitemi si njerëz”, shkruan qytetari në redaksinë e “JOQ Albania”.
Siç shihet në videon e dërguar në redaksinë tonë, qytetarët e kanë shumë të vështirë të ngjiten në atë pjesë të ngritur të terrenit, ndërkohë që veçanërisht për femrat, duhet edhe ndihma e një personi tjetër.
E informojmë KQZ-në se në treg ka shkallë portative hekuri e druri, që mund të bëjnë punë në këtë rast, para se dikush të rrëshqasë dhe të pësojë ndonjë dëmtim serioz.