Një incident tjetër ka ndodhur në këtë proces të votimit për zgjedhjet vendore. Mësohet se Ilir Hyka, komisioneri i Opozitës në Fushë-Krujë është dhunuar dhe më pas është nxjerrë me forcë nga qendra e votimit.
Për shkak të ngjarjes, votimi në qendrën e votimit 1302/ 1 është pezulluar. Shtetasi me iniciale E. K., i cili kishte shkuar për të votuar në këtë Qendër, kishte debatuar me një anëtar të Komisionit të Qendrës së Votimit, Ilir Hykën dhe më pas e kishte goditur atë me grusht, për radhën e votimit.
Njoftimi
Fushë Krujë/Informacion paraprak Rreth orës 10:10, Komisioni i Qendrës së Votimit 1302-1, KZAZ Nr. 20, Fushë Krujë, me vendimin numër 1, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi në këtë qendër votimi një shtetas (votues) ishte konfliktuar me një anëtar të Komisionit. Shërbimet e Policisë, menjëherë pasi kanë marrë njoftim, kanë shkuar në Qendrën e Votimit 1302-1, ku ka rezultuar se shtetasi E. K., i cili kishte shkuar për të votuar në këtë Qendër, kishte debatuar me një anëtar të Komisionit të Qendrës së Votimit, shtetasin I. H., dhe më pas e kishte goditur atë me grusht, për radhën e votimit. Shtetasi E. K. është shpallur në kërkim dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e tij. Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas normalizimit të situatës, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.