Në një kohë kur jeta është shumë vrullshme dhe rrjedha e përditshmërisë na merr përpara e na bën të harrojmë të shkuarën, duhet të çmohen njerëzit, që mundohen të na frenojnë dhe të na kujtojnë rrënjët shumë të vjetra të popullit tonë.
Në Urën e Dajlanit në Durrës, artisti Bledar Çakalli ka pikturuar gjithë heronjtë, që kanë meritë të madhe, që ne sot ekzistojmë dhe flasim shqip, duke mos humbur rrënjët. Në pjesën e poshtme të urës, falë këtij artisti, çdokush që do të kalojë, do të ndjejë njëfarë krenarie.
Çfarë krenarie? Krenari, që përveç këtyre politikanëve “gjakpirës”, ky popull di të nxjerrë edhe figura, që mund të ndryshojnë fatin e një kombi të tërë. Jashtë çdo interesi personal ata janë treguar të gatshëm të sakrifikojnë jetën e tyre në favor të vazhdimit të një historie të madhe.
Bledar Çakalli e ka nisur veprën e tij vullnetare me kohën kur ne quheshim Ilirë, një periudhë ku mbretëresha Teuta, mbreti Piro i Epirit dhe mbreti Bardhyl ishin disa nga figurat e shquara. Nuk mund të mungonte as portreti i Skënderbeut, teksa krah tij është një tjetër hero i madh, megjithëse shumë i vonë, Adem Jashari.
Bledar Çakalli ka sjellë edhe një pamje të Lidhjes së Prizrenit, një nga momentet më historike, e mbajtur më 10 qershor 1878. Kjo datë shënoi bashkimin e katër anëve të Shqipërisë me qëllim mbrojtjen e territorit ku jetonin shqiptarë dhe ruajtjen e integritetit të këtij populli.
Në këto vepra të Çakallit, përveç investimit personal të artistit, kanë ndihmuar financiarisht emigrantë patriotë, si dhe anëtarë të tifogrupit të Kombëtares kuqezi, “Tifozat Kuq e Zi”.