Interi në delir, Inzaghi dhe Lautaro: Ndeshje e mrekullueshme, mund të kishim shënuar më shumë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 11.05.2023, 09:54

Interi mori dje një fitore të madhe me shifrat 0-2 ndaj Milanit dhe bëri një hap të madh drejt finales së Champions League, që i mungon prej 13 vitesh. Pas ndeshjes foli trajneri Inzaghi, i cili u shpreh tepër i kënaqur nga skuadra, megjithëse sipas tij, mund të kishin shënuar edhe më shumë gola, pasi zikaltërit goditën edhe shtyllën.

“Kemi pasur një pjesë të parë të jashtëzakonshme, jam shumë i kënaqur. Natyrisht që mund të kishim shënuar edhe më shumë se dy gola, por ishte një ndeshje e shkëlqyer. Ne e dimë se jemi përpara. Por tani është ndeshja e dytë, do të luajmë në shtëpi dhe do të kemi tifozët tanë. Do të bëjmë një përpjekje për një ëndërr të madhe.

Djemtë mbuluan çdo centimetër, ata që hynë dhanë përgjigje të shkëlqyera, kështu realizohen paraqitje të shkëlqyera. Për 72 orë kemi një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Sassuolos dhe do të duhet të jemi të mirë në rikuperimin fizik dhe psikologjik pasi kemi shpenzuar shumë.

Mkhitaryan dhe Dzeko? Ata patën një lojë të mrekullueshme. Ata janë të shkëlqyer, ashtu si të gjithë të tjerët, bashkë me ata në bankinë, që dëshironin të hynin. Një trajner duhet të bëjë shumë për vendimet. Çdo ndeshje ka nga ata që presin të luajnë dhe ndoshta nuk janë të lumtur që nuk aktivizohen, por për mua e rëndësishme është që të gjithë kanë një zemër dhe një dëshirë të madhe për të bërë mirë për këtë fanellë”, është shprehur trajneri i Interit për “Prime Video”.

Nuk mungoi as një deklaratë e Lautaro Martinez pas ndeshjes, me kampionin e botës, që u shpreh shumë i lumtur me rezultatin e kësaj gjysmëfinaleje të parë. Lautaro u shpreh se dy golat i dhanë mundësinë Interit të luante më e relaksuar. “Është shumë i rëndësishëm ky rezultat për ne, por sapo kemi filluar.

Ne duhet të përmirësohemi në krahasim me pjesën e dytë sepse kemi ulur intensitetin. Tani duhet të mendojmë për kampionatin sepse ne duhet të fitojmë, pastaj do të mendojmë për sfidën e dytë. Derbi është fituar me detaje. Ne kishim një qasje të shkëlqyer dhe ato dy gola na dhanë qetësi për pjesën tjetër të lojës.

Çfarë bëri diferencën? Qëndrimi, ne hymë në fushën në mënyrën e duhur. Dy golat na bënë të punojmë në mënyrën e duhur. Sigurisht që duhet të përmirësohemi pak në mënyrën se si luajtëm në pjesën e dytë, por sollëm një rezultat të rëndësishëm, duhet të vazhdojmë kështu”, është shprehur sulmuesi argjentinas, Lautaro Martinez.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit