Një skandal, që tregon gjendjen e vërtetë të popullit shqiptar dhe seriozitetit që ata i marrin zgjedhjet, ka dalë në shesh. Një 61-vjeçar dhe një 52-vjeçar nga Tirana janë vënë nën hetim, pasi janë kapur duke biseduar më njëri-tjetrin për shitblerje votash.
Në media u postuan disa video, ku shfaqeshin Kristo Agalliu, i cili bën pazare votash me Agron Durajn, me policinë, që ndërmori një aksion për të shoqëruar dy personat e përfshirë. Ndërkohë, siç shihet pazari ka ngecur te shuma prej 50 mijë lekësh të vjetra.
“100 mijë lekë është turp. Hajde t’ia marrim kot, por turp 100 mijë lekë. Po mirë t’i dy vota ke, unë kam katër vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën e tij unë! Po të më hedhë karburantin ai… Thoji kështu, më dëgjo, i thuaj 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë, hajde pazari i fundit”, ishte kjo biseda e Kristo Agalliut me Agron Durajt përmes telefonit.
Ky është rasti i tretë i konstatuar në vendin tonë, ndërsa pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet vendore në 61 bashkitë e vendit. Një natë më parë policia e Fierit shoqëroi një person në Fratar të Mallakastrës, i cili dyshohet se po blinte votat në favor të kandidatit të PD-së, Agron Kapllanaj.
Më herët u shoqërua edhe një grua, që akuzohet për blerje votash në favor të kandidatit të Partisë Demokratike për Mallakastrën. Ndërkohë, Klajdi Agalliu është arrestuar, ndërsa Agron Duraj është proceduar në gjendje të lirë. Pas shoqërimit në komisariat dhe sekuestrimit të celularit, raportohet se nuk ka pasur asgjë të dyshimtë.
DEKLARATA E POLICISË – “Tiranë/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Premtuesi”. Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet penalisht një tjetër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shit-blerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”.
Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash për një subjekt politik. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.