Në datën 14 maj, mbahen zgjedhjet vendore për bashkitë e vendit. Të majtë e të djathtë, kanë shfrytëzuar çdo moment për të bërë fushatë me premtimet elektorale. Të shumta kanë qenë dhe momentet që kandidatët për kryetar Bashkie, apo figura politike, kanë takuar qytetarët e çdo zone, të cilëve iu kanë kërkuar votën.
Të shumtë kanë qenë edhe arnimet e rrugëve vetëm për t’u hedhur hi syve qytetarëve, takimet me të moshuar që pas zgjedhjeve nuk do të lejohen të shesin qepë në rrugë, takime me fëmijë, apo edhe takime me kërcime tallava, ndërsa gjatë këtyre muajve të fundit nuk kanë munguar edhe skenat ku në ndihmë të qytetarëve kanë qenë politikanët, momente që janë shkrepur foto dhe më pas janë publikuar në rrjetet sociale si për të treguar se jemi afër popullit, sidomos tani që vota e tyre është e çmuar për të mbajtur karrigen e kryebashkiakut.
Së fundmi, një qytetar ka dërguar pamje nga Durrësi, aty ku shihet se si punëtorët e Pastrim Gjelbërimit qytetas, po kryejnë punën që u takon, ndërsa nga larg shihet një djalë që shkrep foto e bën video, që më pas të publikohen në rrjetet sociale të Bashkisë Durrës, e kryebashkiakes që kandidon përsëri për Durrësin. Në video shihen punëtorët e pastrim gjelbërimit që po bëjnë detyrën e tyre në një sipërfaqe të vogël me lule e gjelbërim, ndërsa pak metra më larg shihet një djalë që ka për detyrë vetëm të filmojë punën që bëjnë punëtorët e Bashkisë.