Përballje “përbindëshash” në Champions League, sot Real Madrid-Manchester City

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 09.05.2023, 10:44

Luhet ditën e sotme në “Santiago Bernabeu” një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, Real Madrid-Manchester City, e vlefshme për gjysmëfinalen e Champions League. Pep Guardiola është prej shtatë sezonesh në gjueti të trofeut më të madh evropian, teksa ky sezon është ai ku shpresohet më së shumti për shkak të perfeksionit që anglezët kanë shfaqur.

Por përpara është një “përbindësh” i këtij kompeticioni, Real Madrid, që transformohet dhe tregon se në Champions është “shkatërrues”. Pikërisht kjo e bën këtë ndeshje tejet interesante dhe e barazon me sfida të tjera të frikshme dhe historike të arenës së madhe të futbollit.

Trajneri i Cityt, Guardiola, ka folur para ndeshjes se sotme dhe mundohet të qetësojë lojtarët e tij kur shprehet se Champions League nuk është qëllimi kryesor, por skuadra duhet të bazohet te paraqitjet pozitive të vazhdueshme. Në fakt City ka shumë vite që ka arritur të ketë vazhdimësi dhe në të vërtetë e vetmja gjë, që i mungon këtij ekipi është pikërisht trofeu i Champions League.

“Qëllimi ynë është të performojmë në mënyrë të vazhdueshme, t’i afrohemi sa më shumë që të jetë e mundur fitimit të trofeut dhe në fund do t’ia dalim. Nëse përgatiteni për sezonin vetëm me Champions në mendje, atëherë, pasi keni pësuar një humbje në të, nuk do të mbeteni pa asgjë, sepse Real Madrid pothuajse gjithmonë e fiton këtë turne.

Do të doja që të luanim dy ndeshje të njëjta si në gjysmë-finalen e fundit. Por nuk mendoj se është e mundur. Në Manchester patëm një ndeshje të jashtëzakonshme, në ndeshjen e kthimit gjithashtu ishim shumë të mirë, por kjo nuk mjaftoi. Dhe tani do të përpiqemi të arrijmë sërish objektivin tonë”, tha tekniku i Manchester City.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit