Shqipëria është një vend i vogël, por historitë me shfrytëzimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, i ka të panumërta, aq sa numri aktual i gazetarëve nuk do të mjaftonte për t’i zbardhur të gjitha.
Megjithatë, për të folur realitetin, trafikimi i fëmijëve, por jo vetëm, në krahasim me vitet e para pas tranzicionit është në rënie, por fatkeqësisht ende shqetësues.
E themi këtë, pasi në këtë vendin tonë të vogël, referuar edhe njoftimeve të policisë apo aksioneve të tyre, është në rritje shfrytëzimi i vajzave për prostitucion në të ashtuquajtura qendra masazhesh, por që në fakt janë çerdhet e "seksit të detyruar", me pagesë.
Kudo në rrjete sociale shikon vajza që reklamojnë hiret e tyre, si punonjëse masazhi, por që në fakt ofrojnë seks me pagesë.
Shqipëria nuk e ka ende të legalizuar prostitucion, pasi nëse do e kishim, këto do ishin pamje normale.
Mirëpo, problemi kryesor dhe drama më e madhe nuk qëndron këtu, pra tek reklamimi i hireve në rrjetet sociale.
Në këto qendra masazesh ka vajza që të gjendura në kushte të vështira ekonomike, nën moshë, kanë përfunduar në skllave të disa tutorëve apo tutoreve që në shumicën e rasteve mbrohen nga policia (referuar numrit të lartë të qendrave dhe numrit të ulët të zbuluar nga policia).
Në aksionet e fundit të policisë, në 8 muajit e fundit kanë përfunduar në pranga më shumë se 12 vajza, më shumë se 8 tutorë dhe administratorë dhe janë proceduar dhjetra klientë.
Ajo që vihet re është se vajzat e përdorura si punonjëse seksi, të kamufluara si masazhatore janë në një moshë të re, mesatarisht 22-23 vjeçe.
Shumica e këtyre vajzave, përpara policisë dhe në bisedimet me klientët tregojnë se këtë punë e bëjnë me dëshirën e tyre, por ka dhe histori që dëshmojnë një rast të mirëfilltë trafikimi.
Së fundmi, kemi zhvilluar një intervistë, me një djalë, 26 vjeç, klient, i cili ka frekuentuar këto qendra masazhi me dëshirën për të kryer marrëdhënie seksuale me një nga vajzat.
Ai tregon se mësoi për ekzistencën e qendrës së masazhit në Tik-Tok dhe në Instagram dhe vendosi t’i shkruajë. Që në bisedën e parë kuptoi që atje ofrohej edhe seks, edhe pse kjo fjalë nuk përdorej në telefon, pasi i trembeshin përgjimit.
I riu tregon se vajza, të cilën ai e zgjodhi për t’i bërë masazh (dhe më pas seks), kishte një histori dramatike.
===================================================
Pyetje: Përshëndetje, si ratë në kontakt me qendrën e masazheve?
Përgjigje: Përshëndetje, më dilte shumë herë në rrjetet sociale, më së shumti në Tik-Tok, i mora numrin e telefonit, i telefonova dhe fillova të flisja. E vetmja gjë që më thoshin ishte fjalia ofrojmë shërbime full dhe ekstra dhe këtu e kuptova që ofronin seks. Lashë një orar dhe shkova.
Pyetje: Kush të priti atje? Me kë folët?
Përgjigje: Ishte fiks si një qendër masazhi, kishte recepsion dhe pagesa bëhej atje. Sapo ti bëje pagesën, të dilnin disa vajza dhe ti mund të zgjidhje kë të dojë, për të të bërë masazhin.
Pyetje: Sa ishte pagesa?
Përgjigje: Me thënë të drejtën pagesa është me dy ‘këste’. Ti paguan për masazhin dhe më pas për marrëdhënien seksuale do paguash vajzën që do zgjedhësh. 40 paguan tek masazhi, ndërsa 100 Ia jep vajzës me të cilën do kryesh marrëdhënie.
Pyetje: Cfarë ndodh pasi ti e zgjedh vajzën?
Përgjigje: Shkon në një dhomë dhe atje fillon. Në fillim bën masazh dhe më pas vajza të jep muhabet dhe të kërkon që të përfitosh më shumë nga ajo, sepse ajo lekë do.
Pyetje: Ju folët me vajzën:
Përgjigje: Po fola, nuk e përjetova fare mirë. Dëgjova dicka që nuk do doja ta kisha dëgjuar.
Pyetje: Çfarë dëgjove? Të tregoi për familjen?
Përgjigje: Për familjen e pyeta, por nuk foli aspak, nuk donte, Unë fillova të flisja lirshëm dhe fillova ta pyesja për emrin dhe origjinën. Nuk më tha nga vinte, por mësova se ishte 20 vjeç dhe kishte më shumë se tre vite që punonte kështu. E kishte nisur këtë punë për shkak të problemeve ekonomike më pas e kishte vazhduar se nuk e linte dot, kështu më tha.
Pyetje: Ju tregoi kush e kishte drejtuar në këtë rrugë?
Përgjigje: U mundova, por nuk tregoi gjithçka. Mora vesh që shoqëria e kishte drejtuar më së shumti dhe më tha se fitimet i ndante me tutoren. Shfrytëzim me pak fjalë.
Pyetje: Si i ndanin fitimet?
Përgjigje: Nga numri i klientëve, fitimet ishin 50 me 50, gjysmat i merrte ajo dhe gjysmat tutorja.
Pyetje: Çfarë kuptuat për gjendjen e saj shpirtëore,emocionale?
Përgjigje: Më ka ngelur në mendje, ishte e hutuar dhe aspak e buzëqeshur, megjithatë, pranonte se puna që bënte ishte më dëshirën e saj, mirëpo kjo nuk reflektohej aspak. Bëra vetëm masazhin dhe u largova.
===================================================
Përmes klientit, u përpoqëm të kishim një bisedë me vajzën, por ishte e pamundur, për më tepër që nuk qendronte në një qendër masazhi. Historia e trafikimit të saj nuk dihet, por fillimi i kësaj 'pune' në një moshë të mitur (sipas rrëfimit) dhe shfrytëzmi i saj nga tutorja tregon dramën e madhe të jetës së saj.
Histori si masazhatorja e detyruar të kryejë seks, ka pafund në Tiranë. Disa i zbardh policia dhe disa i fsheh po ajo.
Thirrjet tona shpesh bien në vesh të shurdhër!