Mirlinda Karçanaj vazhdon të shpenzojë “pa hesap” siç thotë populli. Në fakt është e çuditshme se nga dalin gjithë këto para e megjithatë ato kurrë nuk shpenzohen plotësisht për nevojat e shqiptarëve.
Pra paratë tona shpërdorohen kushedi se për çfarë, por natyrisht jo për atë që thuhet se do të shpenzohen. Fatkeqësisht kjo ide vihet re në të gjithë tenderat e dyshimtë që publikojmë çdo ditë. Sot e ka radhën përsëri Mirlinda Karçanaj e AKSHI-t.
Nëse e keni vënë re, ky institucion del shpesh në tenderat tonë. Imagjinoni se sa shumë procedura tenderash në shifra të frikshme realizon në periudha të shkurtra kohore.
Në rastin e sotëm do t’ju paraqesim një tender që kap vlerën e 3 miliardë lekëve të vjetra. Bëhet fjalë për një projekt të ngjashëm me fiskalizimin, me objekt tenderi “Ndërveprimi me platformën e-Transport për prerjen e biletave dhe komunikimi me qendrën SOS- për DPSHTRR”.
E thënë me fjalë të thjeshta, plani është të ndërtohet një tip qendre pranë DPSHTRR e cila do të pajisë autobusët ndërqytetës me një pajisje për të lëshuar bileta (POS e-Transport) si dhe do të bëjë fiskalizimin e biletave.
Pra AKSHI kërkon të ndërtojë një sistem të dytë fiskalizimi vetëm për biletat e autobusëve ndërqytetës dhe për këtë duhen paguar 3 miliardë lekë nga paratë e popullit të varfër shqiptar. Fare mirë mund të shfrytëzoheshin platformat aktuale të fiskalizimit dhe nuk qe nevoja të ndërtohej një sistem i ri.
Megjithatë ky tender është bërë dhe është shpallur fituesi. Procedura mban numrin e referencës REF-59489-02-17-2023 dhe ka si fond limit shifrën 249,811,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 3 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Shikohet se konkurrenca ka qenë e cunguar pasi kanë marrë pjesë në procedurë vetëm dy firma. Fituese është shpallur “COMMUNICATION PROGRESS” në pronësi të Gentian Likaj dhe Enkeleidi Zoraqi, për 239,800,000 lekë të reja pa TVSH ose thuajse 3 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Vlera e ofruar prej tyre rezulton ndërkohë të jetë sa 96% e fondit limit, duke ngritur dyshime se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.