Harry Simpson, informatori anglez në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur në Shqipëri më 11 prill dhe në aeroportin e ka pritur një makinë e marrë me qira nga Edmond Haxhia, porositësi i vrasjes.
Në dosjen hetimore thuhet se rreth orës 00:56, të datës 11 prill 2023, Harry Simson ka hyrë në territorin shqiptar dhe ka dalë vetëm nga terminali i aeroportit. Ai ka ecur në këmbë deri në afërsi të një lokali ku e priste një automjet tip ‘Volkswagen’, tipi Golf-5, me ngjyrë të errët. Rreth orës 00:57, ai ka hipur në këtë automjet dhe ka lëvizur në drejtim të Lezhës.
Automjeti që ka transportuar anglezin në Shëngjin është marrë me qira nga Haxhia një muaj para se të ndodhte ngjarja në Shkodër. Pronari që ka dhënë makinën me qira ka deklaruar:
Më datë 16 mars 2023 më ka marrë në telefon një numër i huaj dhe ka kërkuar të merrte një automjet me qira. Personi erdhi po atë ditë dhe më dha një leje britanike drejtimi automjeti me emrin Edmond Haxhia. Unë i bëra foto me telefon dokumentit dhe i dhashë Edmondit automjetin Volkswagen Golf 5 me targa AA837ZM. Ai e mori automjetin me datë 16 mars 2023 dhe më datë 21 prill 2023, makinën ma solli një djalë rreth 25 vjeç. i cili më tha se ishte shok i Edmondit.
Ndërkohë këtë automjet e ka kthyer në Shkodër shtetasi me iniciale O.C. Ky i fundit në dëshminë e tij ka treguar se makinën e ka marrë në Tiranë nga Valbona, e fejuara e Edmondit. Ai thotë se pasi e ka larë makinën në një lavazh e ka çuar në parkingun ku do ta merrte pronari.
Më datë 21 prill 2023, pas mesnate, rreth orës orës 02:30, më ka marrë në WhatsApp, një shoku im që quhet K.N, nga Velipoja, por që ndodhej në Itali dhe më tha: “A mundesh të më bësh një nder si shok’. Unë i thashë ‘Po’. Ai më kërkoi që të shkoja në Tiranë për të marrë një automjet dhe më dërgoi numrin e telefonit, të kushërirës së tij që quhej Valbona. Pasi erdha në Tiranë me një shokun tim, unë u takova me të fejuarën e tij në sheshin ‘Skënderbej’. Ajo më tha se makina që duhet të çoja në Shkodër ndodhej te parkingu nëntokësor tek hotel ‘I...’. Ajo më dha për këtë shërbim 50 euro dhe pasi u përshëndeta me të, mjetin tip ‘Volkswagen’ e kam çuar drejt Shkodrës. Por fillimisht e kam larë në një lavazh në Tiranë, siç më porositi ajo. Pasi kam shkuar në shtëpi, shoku im K. më dërgoi numrin e personit që kishte marrë makinën me qira, i cili quhej Mondi, ku i kam shkruar në WhatsApp, duke i thënë: ‘Ta kam çuar makinën në Shkodër, e ke në rregull”. Pas kësaj nuk ka komunikuar më me asnjërin prej tyre.
Me këtë automjet ka lëvizur edhe vrasësi portugez Ruben Saraiva dhe Edmond Haxhia. Pavarësisht larjes në lavazh, brenda kësaj makine janë gjetur gjurmët e portugezit në një veshje hixhab si dhe qese, fatura tatimore, rroba, doreza e shishe ujë.
