26 ditë pas zhdukjes së dy 46-vjeçarëve, Leonard Thodhori e Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, familjarët e tyre kanë vendosur të protestojnë përpara drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit. Me foto të mëdha të dy të zhdukurve, ata kërkojnë “zgjimin” e policisë dhe angazhim më të madh nga ana e tyre.
Xhaxhai i Sulovarit ka folur për mediat dhe është shprehur se gjëja më minimale që duhet të bëjë policia është të gjejë trupat e dy të zhdukurve. “Duam trupat e tyre. Shteti nuk po punon ashtu siç duhet. Është 26 ditë, po shkon një muaj. Nuk kemi asnjë komunikim.
Asnjë gjë, duam që shteti të gjejë trupat. Nuk ka lidhje konflikti i pronësisë. Po të kishte konflikte nipi im, s’do dilte lirshëm. Kemi ardhur për protestë paqësore këtu. Shteti të gjejë trupat dhe të kapë autorët”, tha Kujtim Krasniqi, xhaxhai i Sulovarit.
Sipas hetimeve të deritanishme, policia dyshon se dy të zhdukurit janë ekzekutuar dhe trupat e tyre mund të ndodhet në territorin e Bashkisë së Konispolit. Mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit. Në disa pamje filmike të lëvizjes së tyre duket Fatmir Sulovari, që mban dorën në tavan në pjesën e pasme, në gjendja normale.
Në këto pamje filmike është e vështirë të dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet vetëm se targat greke të mjetit janë vjedhur në Lezhë. Për këtë ngjarje janë sekuestruar 8 automjete, si dhe është arrestuar një 28-vjeçar, që dyshohet se ka bashkëpunuar me autorët për rrëmbimin e dy të zhdukurve.