Prej më shumë se një viti, pothuajse çdo ditë përballemi me lajme për largimin e shqiptarëve me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Shumë familjarë, burra, gra, fëmijë, të moshuar kanë marrë rrugën e vështirë të kalimit të Kanalit Anglez me gomone.
Për t'u larguar njëherë e mirë nga Shqipëria dhe për t'u zhvendosur në vende më të mira, shqiptarët janë të gatshëm të ndërmarrin çdo lloj rreziku.
Kështu ka ndodhur edhe me një shqiptar që ka tentuar të mbërrijë në SHBA me gomone.
Këtë fundjavë Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuare ka kthyer 75 emigrantë në Republikën Domenikane pas ndalimit të dy gomoneve të paligjshme në ujërat e ngushticës Mona Passage pranë Porto Rikos. Në njërën gomone ishin 28 burra dhe 12 gra, dhe një femër e mitur, e cila pretendonte se ishte shtetase e Republikës Domenikane. Ndërkohë që në gomonen e dytë ishin 36 persona: 32 burra dhe dy gra, të cilët pretendonin se ishin shtetas të Republikës Domenikane, dhe dy burra nga Haiti.
Që nga 1 tetori 2022, deri më 30 prill 2023, Roja Bregdetare ka kryer 31 ndalime të paligjshme në ngushticën Mona Passage dhe ujërat pranë Porto Rikos. Të ndaluar gjatë kësaj periudhe janë 992 shtetas jo-amerikanë, duke përfshirë 758 domenikanë, 211 haitianë, 13 venezuelianë, shtatë kazakë, një shqiptar dhe një kombësi tjetër të panjohur.
Autoritetet thonë se këto udhëtime janë shumë të rrezikshme dhe më së shpeshti ndodhin në bordin e gomoneve të palundrueshme e pa pajisje shpëtimi.