Pas shumë negociatash, thashethemesh e pretendimesh, Milani ka arritur të zgjidhë një nga problemet më të mëdha të skuadrës. Klubi kuqezi ka gjetur akordin me Rafael Leaon për të rinovuar kontratën, e cila përfundon në këtë verë.
Mediat italiane raportojnë se në ditët në vijim portugezi do të firmosë kontratën e re, që pritet të skadojë në verën e vitit 2028. Në kontratën e re sulmuesi do të fitojë 7 milionë euro, plus dy të tjera në formë bonusesh, duke e çuar totalin në 9 milionë euro.
Pavarësisht se palët kanë arritur akordin total në çdo aspekt, mbetet për tu zgjidhur borxhi prej 22 milionë euro që Leao i detyrohet Sporting Lisbonës. Edhe në këtë rast është gjetur një akord në parim. Në këto kushte, Leao pritet të bëhet lojtari i Milanit me efekt të plotë deri në 2028.