Është vrarë me thikë në Spanjë një shqiptar rreth 29 vjeç nga Selenica. Endrit Sinaj rezulton të ketë qenë pa dokumente dhe dyshohet se ka qenë pjesëtar i një grupi kriminal, anëtarët e së cilës visheshin si Polic dhe bënin grabitje të drogës, por jo vetëm në fshatrat e Selenicës.
Ndërkohë pas ngjarjes së rëndë, mësohet se miku i ngushtë i Sinajt, ose mund të jetë fshehur ose zhdukur, pasi ka kohë që ka humbur kontaktet me familjarët e tij të cilët po e kërkojnë kudo. Vrasja e Sinajt ka ndodhur të dielën e kaluar, por mediat e huaja e kanë raportuar sot.
Rrethanat e ngjarjes nuk dihen ende, teksa mediat e huaja shkruajnë se shqiptari është i lënë i vetëm në dyert e spitalit Trueta de Girona nga persona që ende nuk janë identifikuar nga policia spanjolle e cila po heton rrethanat e ngjarjes së rëndë të regjistruar në datë 23 prill.
Personat në fjalë që e kanë dërguar shqiptarin në spital, janë larguar menjëherë nga vendi, duke lënë të vdekur në dyert e spitalit të riun. Sinaj u mor nga mjekët dhe iu nënshtrua trajtimit mjekësor për më shumë se 45 minuta, por nuk arriti të mbijetonte.
Ndërkohë deri tani, kamerat e sigurisë së spitalit kanë arritur të zbulojnë vetëm targën e mjetit që dërgoi shqiptarin në spital dhe mendohet se personat që dërguan Sinajn në spital, janë shqiptarë.