Në Teksas, në shkollat publike pritet që nxënësit të merren me studimin e Biblës dhe praktikimin e lutjeve. Mësohet se nga shtatori i vitit të ardhshëm, tre projektligje kanë marrë miratimin e senatit të shtetit amerikan dhe pritet të nënshkruhen nga Guvernatori Greg Abbott.
Në Teksas, njëri nga tre projektligjet, parashikon që “Dhjetë Urdhërimet” e librit të shenjtë të ekspozohen në të gjitha shkollat publike, tjetri parashikon orë mësimore për t'i lejuar studentët të studiojnë Biblën, dhe i treti parashikon të drejtën për lutje.
“Dhjetë Urdhërimet” do të vendosen në shkollat publike fillore ose të mesme në formën e një posteri të qëndrueshëm, në përmasat rreth 40,6 x 50,8 cm. Ndërkohë drafti i dytë, i miratuar në Senatin e Teksasit parashikon caktimin e një vendi, brenda orarit të shkollës, për t'i lejuar studentët të luten dhe të studiojnë Biblën.
"Sjellja e Dhjetë Urdhërimeve dhe lutjes në shkollat publike është një hap që duhet të bëjmë për t'u siguruar që çdo qytetar të ketë të drejtë të shprehë ndjenjat fetare lirisht. Dhe kjo do t'u mundësojë studentëve të bëhen më të mirë", shpjegoi zv.guvernatori i Teksasit, Dan Patrick.