Humbja në El Clasico, Xavi: Kur nuk e “vret” Real Madridin, ata të “vrasin” ty

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 06.04.2023, 10:03

Barcelona humbi me shifrat 0-4 ndaj Real Madridit në “El Clasicon” e dytë të gjysmëfinaleve të Kupës, në një ndeshje që nisi mirë, por më pas përfundoi të ishte një poshtërim në stadiumin e tyre. Ndeshjen e parë në “Santiago Bernabeu” e kishin fituar katalanasit me shifrat 0-1.

Pas përballjes dolën në konferencë për mediat. Xavi nuk e fshehu zhgënjimin, teksa pranoi se ajo e mbrëmshmja është një humbje shumë e vështirë për tu tretur. “Është një humbje e vështirë për tu tretur, por ky është futbolli dhe dje thashë që Real Madridi ishte favorit. Ishim mirë deri në golin e dytë. Ne duhet të mësojmë të luftojmë më mirë.

Nga këndvështrimi im, ky është një rezultat i vështirë, por ne duhet të fokusohemi te kampionati dhe nuk mund të argumentojmë se ata janë një ekip i madh. Ata janë kampionët në fuqi të La Liga-s dhe kampionët nuk falin. Kur nuk e 'vret' Real Madridin, ata të 'vrasin' ty. Ne duhet të mësojmë nga gabimet tona për të ardhmen”, tha Xavi.

Trajneri i “Los Blancos”, Carlo Ancelotti, thuri elozhe për skuadrën e tij, teksa pranoi se goli i dytë i shënuar nga Vinicius ndryshoi thuajse gjithë rrjedhën e lojës. Për afro 50 vite, Real Madridi nuk kishte shënuar katër gola në Barcelonë.

“Kemi bërë një ndeshje të madhe, kemi qenë të kompletuar në çdo drejtim. Vetëm kështu mund të fitosh 0-4 në këtë fushë, në këtë stadium. Gjithsesi nuk ka qenë dhe aq e lehtë sa rezultati e tregon. Kemi pasur vështirësi në daljen me top, sidomos në pjesën e parë.

Unë mendoj se goli i Vinicius në fundin e pjesës së parë ndryshoi gjithë dinamikën e ndeshjes. Në tërësi ka qenë një ndeshje me personalitet nga ana jonë. Pastaj eksperienca ka bërë të vetën, ka rezultuar vendimtare”, tha mes të tjerash Ancelotti.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit