Pasi “krasiti” xhepat e qytetarëve/ Veliaj shpenzon 400 MLN LEKË për krasitje pemësh

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.03.2023, 15:20

Pas luftës dhe shkeljeve të shumta që bëri për “Pyllin Orbital” 3 miliardë lekësh, Erion Veliaj po bën të tjera shpenzime për propagandën me pemë.

Në fakt ne e kemi cilësuar dhe herë të tjera që plani i pyllit orbital është i dështuar dhe nuk do të arrijë në pretendimet e kryebashkiakut. Pak muaj më parë Kontrolli i Lartë i Shteti ka treguar se ky plan për të mbjellë kaq shumë pemë ka dështuar për shkak të mungesës financiare dhe mungesës së hapësirave të nevojshme për mbjellje pemësh. Më tej thotë se institucioni që drejtohet nga Erion Veliaj duhet shtojë hapësirat e gjelbërta në territorin që administron.

Objektivat e tjera të parashikuara që lidhen me shtimin e hapësirave të gjelbra, nuk u përgjigjen ritmeve të rritjes së urbanizimit. Kjo edhe për vetë faktin se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në vitet e fundit është rritur disa herë”, është shprehur KLSH pak muaj më parë.

Por edhe pse ekspertët kanë konstatuar se në kryeqytet nuk ka më hapësira për të mbjellë pemë, Bashkia ka hapur së fundmi 3 tendera për blerje pemësh me vlerë totale 528 milionë lekë, ose rreth 4.5 milionë euro. Ndërsa më datë 20 mars ka firmosur tenderin për krasitjen e pemëve, të këtij pylli imagjinar.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shpenzime për mirëmbajtjen e tokave dhe aktiveve natyrore”. Ku në dokument sqarohet se shërbimi që do të merret është krasitja e pemëve për gjashtë muajt në vijim. Fondi i vënë në dispozicion për këtë shërbim është 166 milionë lekë.

Dhe oferta e vetme është paraqitur nga bashkimi i operatorëve ‘TEA-D SHPK & CONGREN SHPK”, me vlerë 163 milionë lekë. Pra sa 96% e fondit limit. Por, Veliaj e ka anashkaluar këtë fakt. Dhe në mungesë të konkurrencës ka shpallur fituese këto dy firma.

Kompania ‘TEA-D’ nuk është edhe aq e panjohur në aferat e tenderëve. Ajo është një nga kompanitë që ka marrë tenderë pa garë nga Bashkia Gjirokastër ndër vite. E për këtë arsye në vitin 2021 Zamira Rami, ish-kryetarja e bashkisë së Gjirokastrës, është shpallur fajtore dhe është dënuar për veprën shpërdorim detyre” me 1 vit burgim. Pasi mbeti pa miq në Gjirokastër, pronari i saj Dintar Thanasi po krijon hapësira në Bashkinë Tiranë.

Gjithsesi, ky tender ishte vetëm një nga dhjetëra kontrata abuzive të nënshkruar nga Veliaj në javën e fundit. Sepse me datë 24 mars ai ka firmosur një kontratë për të blerë bojë. Tenderi ka si objekt “Blerje materiale bojaxhiu” dhe fondi i vënë në dispozicion për të është 266 milionë lekë.

Po, janë shumë kaq para për të blerë disa kuti me bojë, që në dokument nuk specifikohet për çfarë do të përdoren. Por, me siguri për të lyer fasadat që të mbulohen vjedhjet dhe shkatërrimet e bëra në këto 8 vite nga Veliaj.

Edhe ky tender është dhënë pa garë nga Bashkia Tiranë. Në dokument duket se Gentian Horjeti dhe firma SAHORA shpk kanë paraqitur ofertat e tyre. Kjo e fundit është skualifikuar që në fazën e vlerësimit të ofertave me argumentin se nuk ka paraqitur mostra të produktit dhe nuk ka deklaruar eksperienca të tjera të ngjashme. Kështu, kontrata iu fal pa garë fare Gentian Horjetit, i cili konkurronte si person fizik.

Nuk e dimë nëse ka bojë që të mbulojë aferat e Velaijt, që iu vjedh qytetarëve dhe qindarkat e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit