Fidel Ylli, presidenti i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, duket se “ka dalë nga strofka” ku ishte fshehur deri tani dhe “i ka këputur” nja 1.4 miliardë lekë të vjetra në një tender tepër të dyshimtë për veshje sportive.
Si titullar i institucionit, Ylli ka në dorë të shpërndajë miliardat lart e poshtë. Por në vend që t’i dërgojë tek ata që ofrojnë më pak duke kursyer në këtë mënyrë shumë para, për habi zotëria në fjalë shkon dhe shpall fitues firmën që kërkon më shumë.
Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-38028-08-05-2022 dhe me objekt “LOTI I (Veshje Sportive, çanta, çorape etj)”. Fondi limit i kësaj procedure është 113,603,938 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Por le të shohim dokumentacionin përkatës. Del se në këtë tender kanë marrë pjesë plot 6 operatorë ekonomikë nga të cilët Fidel Ylli ka shpallur fituese firmën ARISA KONKFENKSION në pronësi të Saimir dhe Diana Bidaj.
Kjo kompani ka ofruar 112,885,700 lekë të reja pa TVSH ose gati 1.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Por ndërkaq nuk janë marrë fare në konsideratë 5 firmat e tjera të cilat kanë ofruar më pak. Madje mjafton të përmendim se diferenca mes vlerës fituese dhe ofertës më të ulët është plot 400 milionë lekë të vjetra, një shifër kjo tepër e lartë.
Ndërkaq vihet re se vlera fituese e ofruar nga ARISA KONKFENKSION është thuajse e barabartë me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 99.4% e tij. Ky fakt i shton akoma më shumë dyshimet se fituesi dihej prej kohësh.