Zyrtare/ Një nga “magjistarët” e kësaj gjenerate, Mesut Ozil tërhiqet nga futbolli

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 22.03.2023, 13:06

Magjia e Mesut Ozil ka përfunduar. Ylli gjerman, që ka fituar thuajse gjithçka në arenën e madhe të futbollit, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur në moshën 34-vjeçare.

“Dua të falënderoj Schalke, Werder, Real Madrid, Arsenal, Fenerbahce, Basaksehir dhe të gjithë miqtë e mi në futboll. Ishte një aventurë fantastike”, shkruan ylli gjerman.

Ozil ka qenë një nga lojtarët më të shquar të epokës së tij, si dhe një nga më të mirët e kësaj gjenerate të Kombëtares gjermane. Shpërthimin e parë ai e bëri me klubin e Werder Bremen, ku regjistroi 16 gola dhe 54 asiste në 108 ndeshje të luajtura. Më pas ai mundi të bëjë kalimin e madh drejt Real Madridit.

Me “Los Blancos” Ozil luajti në 159 ndeshje, duke shënuar 27 gola dhe dhuruar 81 asiste. Pasi mbylli kapitullin me Real Madridin, ai hyri në historinë e Arsenalit, ku regjistroi aventurën e tij më të gjatë.

Ylli turko-gjerman luajti 254 ndeshje me “Topçinjtë”, duke shënuar 44 gola dhe 79 asiste. Me Kombëtaren gjermane, Ozil u aktivizua 92 herë në total dhe shënoi 23 gola e regjistroi 40 asiste.

Trofeu më i rëndësishëm në karrierën e Ozil është padyshim triumfi në Kupën e Botës ndaj Gjermanisë në vitin 2014 në finalen ndaj Argjentinës. Ndërkohë, me Arsenalin ai fitoi 4 herë FA Cup dhe dy herë Superkupën e Anglisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit