Aeroporti i Vlorës është një nga kontratat koncesionare më të kundërshtuara nga ekspertët e mjedisit dhe ambientalistët për shkak se qeveria shqiptare i ka dhënë pronësinë e ndërtimit milionerit nga Kosova Behgjet Pacolli në Lagunën e Nartës.
Zona e mbrojtur e cila i zhvesh nga statusi nga qeveria shqiptare, do të shkatërrohet nga ndërtimet për aeroportin dhe ekosistemet e gjallesave që jetojnë aty do të shpërbëhen duke sjellë pasoja zinxhir në gjënë e gjallë e në mjedis.
Pavarësisht se fituese të koncesionit u shpall kompania e Pacollit dhe një kompani turke, kjo e fundit i ka shitur aksionet biznesmenit me një vlerë minimale prej 4450 eurosh duke e bërë atë zotërues me 100% të aeroportit të Vlorës.
Dhe punimet po vazhdojnë, por çfarë ndodhi që njëra firmë hoqi dorë?
Kujtojmë se në mars të vitit 2021, fitues u shpall konsorciumi i kompanive Mabco Construction në pronësinë e biznesmenit dhe politikanit kosovar, Behgjet Pacolli në partneritet me kompaninë turke, Yda Group, shkruan TVA.
Konsorciumi fitues ka marrë përsipër që të investojë 104 milionë euro për ndërtimin e aeroportit, por rreth një vit e gjysmë pas fitimit të tenderit, kompania turke YDA Group u largua nga projekti dhe i shiti Pacollit paketën e vet prej 40% të aksioneve për një vlerë minimale prej 4450 eurosh.
Përfaqësuesi i kompanisë koncesionare, Valon Lluka, ka deklaruar në një intervistë për BIRN se firma turke u largua nga projekti pasi nuk iu përgjigj investimit të premtuar. Por, nga ana tjetër ekspertët shprehen se kontrata koncesionare për aeroportin e Vlorës e vendos qeverinë shqiptare në pozita inferiore, pasi i garanton investitorit të ardhura edhe kur nuk realizon qarkullim pasagjerësh.
Sipas kontratës, qeveria shqiptare ka marrë përsipër që të kompensojë të ardhurat e munguara të investitorëve privatë, duke vënë në dispozicion të projektit rreth 138 milionë euro të taksapaguesve përgjatë 10 viteve të para të operimit.
Në këtë rast thellohen e më shumë dyshimet pse kompania turke u tërhoq, ndërsa organizatat e mjedisit shprehen se do të vazhdojnë përpjekjet për të anuluar këtë projekt.