Aktori i famshëm hollivudian Mark Wahlberg nuk e fsheh marrëdhënien e tij me Zotin – as kur bëhet fjalë për të folur për besimin e tij katolik dhe as kur bëhet fjalë për të vizatuar një kryq hiri në ballë në respekt të ditës së parë të Kreshmës.
"Është një balancë," i tha 51-vjeçari në një emision televiziv prezantueses Savannah Guthrie për praktikën e tij për të diskutuar rreth fesë. “Nuk dua t’ia ngec askujt në fyt, por nuk e mohoj besimin tim. Mohimi është një mëkat edhe më i madh. E dini, nuk është diçka popullore në industrinë kinematografike, por nuk mund ta mohoj besimin tim. Është e rëndësishme për mua ta ndaj me njerëzit. Unë kam miq nga të gjitha sferat e jetës dhe nga të gjitha llojet e ndryshme të besimeve dhe feve, kështu që është e rëndësishme t'i respektojmë dhe t'i nderojmë gjithashtu."
Gjatë një vizite të mëparshme në po të njëjtin emision, në prill 2022, Wahlberg theksoi se ai mban një qëndrim të tipit “mos detyro”, kur bëhet fjalë për katër fëmijët që ai ka me gruan Rhea Durham.
"Unë nuk ua detyroj fenë fëmijëve," tha ai në atë kohë. Por ata e dinë se babi nuk mund ta fillojë ditën pa u lutur, nuk mund ta fillojë ditën pa lexuar Shkrimet e Shenjta ose pa shkuar në Meshë. Dhe shpresoj që në vend që t'i detyroj, ata do të thonë: Epo, nëse funksionon për babin, ndoshta do të funksionojë për ne, dhe ata do të tërhiqen drejt besimit vetë.
Wahlberg foli dhe për sezonin e Kreshmës dhe periudhat e agjërimit që janë pjesë e saj.
"Ka shumë elementë të ndryshëm për agjërimin," shpjegoi Wahlberg. "Unë mendoj se gjëja e rëndësishme për të kuptuar është se, para së gjithash, nëse keni probleme me ushqimin, ka gjëra të tjera. Zoti i di gjërat nga të cilat ai dëshiron që ju të shkëputeni. Ne të gjithë i dimë ato gjëra që na bëjnë të ndihemi fajtorë, e që nuk na bëjnë të ndihemi aq mirë sa duhet. Pra ka të bëjë me faktin që të shkëputemi nga ato gjëra dhe të fokusohemi tek zakonet e mira në krahasim me veset e këqija. Ka sfida për agjërimin, si përshembull sot, nuk do ha fare mish. Unë do të ha vetëm një vakt sot dhe do ta bëj çdo të premte gjatë gjithë Kreshmës dhe të Premten e Madhe."
Wahlberg gjithashtu do të udhëheqë dëgjuesit në mësime frymëzuese mbi praktikën e agjërimit si pjesë e sfidës së Kreshmës Pray40 të aplikacionit Hallow.