Serbia i dyfishoi fondet për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 21.02.2023, 14:21

Nga viti 2008 – kur Kosova shpalli pavarësinë – deri më 2021, mjetet nga buxheti i Serbisë për shtetin e ri u dyfishuan.

Të dhënat e disponueshme tregojnë se fondet për Kosovën në vitin 2008 kapnin vlerën e 52.3 milionë eurove, ndërsa në vitin 2021 arritën në 124.2 milionë euro.

Megjithatë, mjetet e nxjerra në llogaritë përfundimtare të buxhetit të Serbisë nuk i pasqyrojnë domosdoshmërisht të gjitha paratë që Serbia ka ndarë për Kosovën.

“Është e vështirë të verifikohen ato investime që shkojnë në mënyrë indirekte, nga burime publike, e që nuk mbulohen nga fondet buxhetore”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nemanja Nenadiq, drejtor i programeve në organizatën joqeveritare Transparenca në Serbi.

REL-i i analizoi të dhënat e disponueshme në llogaritë përfundimtare të buxhetit të Serbisë nga viti 2008 deri në vitin 2021. Këto, njëherësh, janë të dhënat e fundit në dispozicion për publikun.

REL-i kërkoi të dhëna të plota edhe nga Departamenti i Thesarit të Serbisë, por ky institucion tha se nuk të dhëna të tilla. Sipas të dhënave të disponueshme, ndarjet buxhetore të Serbisë për Kosovën ishin të njëjta deri në vitin 2016. Nga ai vit, Serbia filloi ta rrisë sasinë.

Përmes ministrive të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme, ajo dha 853.2 milionë euro nga buxheti për ish-krahinën e saj jugore.

Pesëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia nuk e njeh atë si shtet.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Përmes një kërkese për qasje në informacionet me rëndësi publike, REL-i kërkoi informacione nga Administrata e Thesarit për shumën totale të granteve direkte dhe indirekte për Kosovën, nga viti 2008 deri në vitin 2022.

Nga kjo administratë thanë se “nuk i kanë të dhënat e kërkuara”. Departamenti i Thesarit është pjesë përbërëse e Ministrisë së Financave të Serbisë.

Siç thuhet në ueb-faqen e tij zyrtare, detyrat kryesore të tij përfshijnë “menaxhimin e burimeve financiare të Republikës së Serbisë”, kontrollin e shpenzimeve buxhetore dhe raportimet për ekzekutimin e buxhetit.

Shumica e parave nga Serbia në Kosovë kaluan përmes Zyrës së saj për Kosovën.

Deri në vitin 2016, në kuadër të Qeverisë së Serbisë ekzistonte Ministria për Kosovën, por, pas zgjedhjeve të vitit 2016, në vend të saj u formua një zyrë.

Të dhënat tregojnë se 80 për qind e totalit të pagesave për Kosovën, të paraqitura në llogaritë përfundimtare nga viti 2008 deri në vitin 2021, kaluan përmes Zyrës për Kosovën, gjegjësisht Ministrisë për Kosovën.

Siç shihet nga llogaritë përfundimtare të buxhetit, fondet u ndanë edhe përmes ministrive të veçanta. Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova e ndau territorin administrativ në shtatë qarqe.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka një strukturë administrative paralele në Kosovë, e cila është e ndarë në pesë qarqe: Kosovë (që përfshin Prishtinën), Pejë, Prizren, Mitrovicë e Kosovës dhe Anamoravë.

Me kalimin e viteve, më së shumti para iu ndanë qarkut të Kosovës, i pasuar nga Mitrovica e Kosovës.

Ndarjet buxhetore për qarqe, sipas të dhënave nga llogaritë përfundimtare, janë më të vogla në vitin 2021 sesa në vitin 2008 – përveç në rastin e Qarkut të Prizrenit.

Në vitin 2019, në kuadër të fondeve për Qarkun e Anamoravës, shteti serb pagoi 2.7 milionë dinarë për gjoba.

Kjo shumë është për një milion euro më e lartë se të gjitha mjetet që u ndanë për atë qark që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, nuk specifikohet se për çfarë gjobash bëhet fjalë.

Mjetet për përkrahjen e klerit dhe manastireve në Kosovë u ndanë përmes Drejtorisë për Bashkëpunim me Kishat dhe Bashkësitë Fetare.

Sipas të dhënave, mbështetja financiare për Kishën Ortodokse Serbe u realizua përmes Ministrisë, përkatësisht Zyrës së Qeverisë për Kosovën.

Raporti i shpenzimeve për Kosovën, “në pritje” nga viti 2014 Mënyra e shpenzimit të fondeve nga buxheti i Serbisë në Kosovë ishte temë e një komisioni hetimor të Kuvendit të Serbisë, të formuar në maj të vitit 2013. Hetimi lidhej me periudhën 2000-2012.

Pas hetimit, ky komision miratoi një raport në prill të vitit 2014, ku u tha se janë gjetur keqpërdorime të parave dhe shpenzime të paqëllimshme pothuajse në të gjitha fushat – shëndetësi, arsim, ndërtim të objekteve të infrastrukturës e të tjera.

Procedura kërkonte që raporti t’u paraqitej deputetëve në Kuvend, por ai nuk arriti asnjëherë të dilte në rend dite.

Raporti i Komisionit Hetimor nuk ka efekte derisa nuk miratohet nga deputetët e Kuvendit. Vetëm atëherë ai bëhet i detyrueshëm për institucionet kompetente.

“Unë e mbështes ndihmën, por ajo të jetë transparente” Pensionisti nga Beogradi, Ante Diviq, thotë se është njoftuar për mjetet për Kosovën përmes deklaratave të zyrtarëve.

“Në njëfarë mënyre jam i informuar, nuk kam ndonjë burim të drejtpërdrejtë informacioni që të mund të them se është e vërtetë apo jo”, thotë Diviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se është vështirë të vlerësohet se sa duhet të jetë mbështetja financiare, por thotë se ajo duhet të jetë transparente.

“Sigurisht, e mbështes ndihmën, por ajo duhet të jetë transparente, që të mos shkojë atje ku nuk duhet të shkojë”, thotë Diviq.

Radmilla Jovanoviq prej vitesh jeton në Beograd, por me prejardhje është nga Prishtina. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se nuk e di se sa para ndahen për Kosovën.

“Nuk e di, por në parim mbështes gjithçka që mund të bëhet për t’i ndihmuar ata njerëz”, thotë Jovanoviq.

Pedagogia Snezhana Stankoviq thotë se i mbështet mjetet financiare për serbët në Kosovë.

“Meqenëse ata janë pjesë e jona… kjo është diçka që është pjesë e Serbisë, gjithmonë”, thotë Stankoviq.

Sondazhet e opinionit publik tregojnë se qytetarët e Serbisë e konsiderojnë Kosovën të “humbur”, po aq sa “pjesë të Serbisë”.

Në një anketë të Institutit për Çështje Evropiane, nga gushti i vitit 2022, 44.2 për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht në pyetjen: “A e konsideroni Kosovën të humbur?”, 44.6 për qind janë përgjigjur negativisht, ndërsa 11.2 për qind kanë thënë: “Nuk e di”.

I njëjti sondazh tregoi se gjysma e të anketuarve – 49.9 për qind – besojnë se nuk është e mundur që Serbia të ketë sërish sovranitet dhe kontroll mbi Kosovën, 35 për qind e tyre besojnë se kjo është e arritshme, ndërsa 15.1 për qind e të anketuarve janë përgjigjur: “Nuk e di”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Heroit të Muajit
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Shqiptari në Gjermani
    Shqiptari në Gjermani, i cli gjeti në rrugë një portofol dhe vendosi që atë t;ia kthejë të zotit, një shtetas gjerman. Ai filmoi veten e tij me kamerën e makinës gjatë kohës që gjente shtëpinë e shtetasit gjerman. Fatmirësisht e gjeti dhe ia dorëzoi portofolin. Shtetasi gjerman e falënderoi shumë dhe e ‘shpërbleu’ atë me 20 euro.
    Sara nga Tirana
    Kandidatja e dytë është Sara nga Tirana, e cila, nuk zgjidhi të dhurojë para apo rroba për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri, por shprehu gatishmërinë e saj për të birësuar një fëmijë, që ka humbur familjen në rrënojat e asaj lëkundjeje të madhe. Ajo tha për JOQ se po pret momentin kur ta njoftojnë se mund të birësojë një fëmijë në Turqi apo Siri.
    Deoni
    I treti është Deoni i vogël nga Kukësi, i cili na tregoi se nuk ka rëndësi mosha për të pasur një zemër të madhe. Ai dhuroi arkën e tij të kursimeve për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Ndoshta ato pak të holla të tij nuk janë asgjë, por mesazhi i tij është shumë më i madh.
    Shoferi i kamionit
    I katërti është shqiptari, shofer kamioni, i cili u nis nga Shkupi më qindra ndihma për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Vetëm dy ditë pas tërmetit, ai mblodhi ndihma dhe u nis i vetëm drejt qytetit të shkatërruar nga lëkundjet sizmike.
    Babë e bir nga Kukësi
    Në vendin e pestë, janë babë e bir nga Kukësi. Afrim Cenaj(babai) dërgoi në redaksinë e JOQ Albania foton kur i puthte duart djalit të tij për të mos u larguar nga Shqipëria. Afrimi është pjesë e listës së heronjve për drymën që i jep djalit të tij që të kontribuojë në vendin e tij, ndërsa i biri është në listë sepse, pavarësisht situatës së vështirë në Shqipëri, po merr zanatin e babait dhe ka premtuar se do punojë për Shqipërinë.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit