Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk është ngopur me paratë e BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) dhe ka kërkuar shtyrjen e afatit të kredisë në lidhje me projektin “Programi i Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale”.
Dritan Agolli përveç se është shumë pas me afatin e projektit, kërkon shtyrje të afatit me 18 muaj sepse nuk i ka përvetësuar të gjitha paratë e përcaktuara në aktin e kredisë. Sipas afateve fillestare marrja e parave duhej të kishte përfunduar në fund të vitit 2022. Por, FSHZH këtë nuk e ka arritur pasi ka punuar në rrugë të kundraligjshme, të mbushura me afera.
Sipas rregullit, FSHZH mund t’i tërheqë paratë nëse paraqet planet e qarta se si dhe ku do të investohen këto para. Sa do të jenë shpenzimet për secilin, projekt dhe paratë që do të shpenzohen, por Agolli e ka të vështirë ta bëjë këtë, pasi ai lidh kontrata abuzive, të cilat nuk mund t’ia paraqesë kredidhënësit.
Kështu ka kërkuar shtyrje të afatit dhe Këshilli i Ministrave ia ka miratuar. Sipas afateve të reja, që tashmë janë miratuar, mbyllja parashikohet në 30 qershor 2024, teksa në kërkesën e bërë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë thuhet se ky afat do të mundësonte finalizimin e aktiviteteve për t’u financuar nga kjo marrëveshje.
Sikur e cekëm pak më lartë, veçse se po merr kredi për të bërë punën që i takon vetë si institucion, FSHZH zhvillon tendera në shkelje flagrante të ligjit.
JOQ po nxjerrë vetëm një nga tenderët, për të cilin janë shpenzuar rreth 3 miliardë lekë. Ky tender është mbyllur pa konkurrencë. Dhe Agolli ka favorizuar ofertën më të shtrenjtë, çka përbën një tjetër shkelje të ligjit “Për Prokurimet Publike”.
Ndërkohë, edhe KLSH ka publikuar në vitin 2021 një raport për këtë projekt kontestoi se Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte të meta dhe mangësi në disa drejtime të veprimtarisë së tij që lidhen me menaxhimin.
“Gjatë auditim janë konstatuar mangësi në dokumentacione dhe shpesh mos përputhje të tyre. Ka pasaktësi në dokumentet e Personelit të Dedikuar për projektin siç është parashikuar në marrëveshjen e financimit me Bankën Botërore dhe mos vlerësim të objektivave të përcaktuara në marrëveshjet e financimit me qëllim vlerësimin e rezultateve të punës së deritanishme”, raportonte KLSH.
Por, Agolli dhe qeveria nuk i marrin parasysh këto denoncime, as kur vijnë nga institucionet kontrollore. Kështu, vazhdojnë të zhysin vendin në borxhe dhe projektet bëhen gjysmake.