Ditën e djeshme “JOQ Albania” publikoi videon ku oficeri i policisë Gjergji Riza dhunonte të riun Klajdi Norolla në një shkallë pallati në Pogradec. Menjëherë pas këtij publikimi, nga burime të ndryshme u zbulua se arsyeja e dhunës ka qenë vendosja e një tritoli nga Norolla në klinikën dentare të gruas së oficerit.

Pas publikimit të pamjeve, Gjergji Riza u pezullua nga detyra dhe Agjencia e Mbikqyrjes Policore do të vijojë hetimet për dhunën. Ndërkohë, mësohet se Klajdi Norolla ndodhet në burg aktualisht, pasi është kapur duke shpërndarë heroinë, teksa dyshohet se edhe vetë ishte përdorues i rregullt i kësaj droge.
Rreth një muaj më parë Norolla ka dashur të shpërthejë biznesin e gruas së oficerit, por fatmirësisht tritoli nuk është aktivizuar. Më pas dyshja janë ballafaquar më 8 shkurt ku Riza ka dhunuar Norollën siç duket në pamje.
Tashmë detaje të reja dalin në lidhje me këtë ngjarje. Një burim për JOQ Albania ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes. Ai shprehet se policia e Pogradecit nuk e ka hetuar ngjarjen që i ka ndodhur Rizës dhe ky i fundit është detyruar të marrë informacione në rrugë të tjera, derisa ka arritur të gjejë Norollën.
Qytetari shprehet se Norolla është porositur nga një i kërkuar i madh i drejtësisë për të vënë tritolin, teksa shton se videoja është publikuar si shenjë hakmarrjeje ndaj Rizës, pasi ai është një oficer shumë i rreptë dhe profesionist.
Burimi për JOQ shkruan se ish-shefi i komisariatit, Oltion Agolli, shefi i krimeve, Eduart Allushi, dhe i plotfuqishmi i zonës e kanë mbajtur të fshehur ngjarjen pasi ka rreth 2-3 muaj që ka ndodhur dhe oficeri Gjergji Riza është detyruar të marrë vetë informacione për ngjarjen e ndodhur, pasi Komisariati i Policisë Pogradec janë inaktivë dhe të inkriminuar.
“Llumi i policisë shqiptare që ekziston në Shqipëri. Aktualisht Klajdi Norolla është në burg, pasi u kap për shpërndarje të drogave të forta, heroinë, dhe urdhrat për të vënë tritol i ka marrë nga një person, që është në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore në qytetin e Pogradecit”,-shton ai.
I njëjti burim thotë se ky person është 1 prej 5 personave më të rëndësishëm në kërkim në Shqipëri.
Burime për JOQ sqarojnë se videoja e shfaqur është e vjetër, para se të hynte në burg Klajdi Norolla dhe personi që ka shfaqur videon e ka bërë pasi Gjergji Riza është oficer i rreptë, ndër më të vjetrit dhe tejet profesionist.
”Të gjitha që fliten lart e poshtë janë shpifje”,-përfundon burimi.