Të jetosh brenda një aeroplani duket se është një ide që magjeps shumë njerëz, pasi gjithnjë e më shumë persona vendosin të kthejnë një avion që nuk përdoret në shtëpinë e tyre.
Dhe ndërsa shumica i drejtohen vetë-ndërtimit dhe DIY, një ndërtues në Bali zgjedh një rrugë tjetër. Qëllimi i tij është të shndërrojë një Boeing 737 në një vilë luksoze me dy dhoma gjumi me një pishinë, që do ta japë me qira për 7000 dollarë në natë.
Ky është projekti i frymëzuar nga Felix Demin, një zhvillues që zotëron zinxhirin e hoteleve Bubble Hotel Bali.
Denim fillimisht mendoi të blinte një aeroplan privat për përdorimin e tij, por shpejt pa se ai mund ta kthente avionin në diçka vërtet të veçantë.
Kur filloi të kërkonte, gjeti rreth 20 avionë që mund të blinte në Indonezi dhe përfundoi me një Boeing 737.
Por transportimi i tij në majë të një shkëmbi madhështor, pranë plazhit Nyang-Nyang, nuk ishte një detyrë e lehtë. Duke ndjekur udhëzimet e njerëzve të Boeing, teknikët e tij zhvidhosën 50,000 bulona për të çmontuar avionin në mënyrë që ta transportonin nëpër rrugët e ngushta dhe të mbushura me kabllo të Balit.
Faza e planifikimit zgjati dy muaj dhe transferimi u bë në pesë net, duke përdorur dy vinça, një platformë të madhe dhe një eskortë policie.
Më në fund, avioni mbërriti në vendin ku do të ngrihet Villa Private Jet by Hanging Gardens, 150 metra mbi nivelin e detit.
Ekuipazhet e Denim-it më pas filluan të hiqnin gjithçka nga pjesa e brendshme e avionit në mënyrë që të mund të vazhdonte rinovimi i gjerë.
Qëllimi i tij është që vila të bëjë përshtypje, siç mund të kuptohet nga planet.
Vizitori do të ngjisë një shkallë që të çon në hyrjen kryesore, në krahun e avionit. Brenda do të shihni dhomën e ndenjes me bar dhe një divan-krevat, ndërsa avioni do të ketë dy dhoma gjumi me garderobë. Kabina është shndërruar në një banjë të madhe.
Demin siguron se avioni ka kaluar shumë kontrolle sigurie, por krahu i tij i varur në një lartësi të madhe ka shkaktuar shumë komente në rrjetet sociale. Ndërtuesi synon të vendosë xhamin mbrojtës, por pranon se është e vështirë të gjesh një mjeshtër të gatshëm për të ndërmarrë një projekt kaq të rrezikshëm.
Gjithsesi, projekti pritet të jetë gati në muajin prill, ku një natë qëndrimi do të kushtojë plot 7000 dollarë.