Dokumentet që nxjerrin zbuluar Ahmetajn, si manipuloi dhurimin e vilës luksoze nga Klodian Zoto

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 09.02.2023, 11:33

Pagesat për udhëtimet dhe hotelet jashtë vendit për Arben Ahmetajn nga Klodian Zoto, janë vetëm një grimcë nga e gjithë e vërteta. Zoto, personi që është në qendër të gjithë aferës së inceneratorëve, i ka dhuruar një vilë luksoze ish-zëvendëskryeministrit.

Në një prej fshatrave, ku janë ndërtuar komplekset më luksoze, pikërisht në bregdetin e Lalzit, saktësisht në Hamallaj, ndodhet edhe vila e përfituar nga Ahmetaj nëpërmjet Zotos. Kjo pasuri vlerësohet të ketë një vlerë prej rreth 1 milionë eurosh.

Natyrisht, gjithçka ka ndodhur me ndërmjetës. Në vitin 2014, një i njohur i afërm me Ahmetajn, biznesmeni Gerian Kuka, firmos kontratën e sipërmarrjes për ndërtimin e një fshati turistik në një sipërfaqe prej rreth 13 mijë metra katrorë. Sipas marrëveshjes, ai do përfitonte 22% të sipërfaqes së ndërtimit.

Por, në vitin 2018 kontratës i bashkëngjitet edhe ndërtimi i një tjetër vile, e cila do të ndërtohej nga e njëjta kompani, teksa kjo e fundit do të kompensohej nga investitori. Kështu ndodh, dhe në 19 nëntor të vitit 2019 firmoset kontrata për blerjen e vilës nga miku i Ahmetajt, Gerian Kuka.

Kjo pronë blihet për vlerën e 175 mijë eurove, vlerë e papërfillshme për një vile të standardeve të tilla, me sipërfaqe prej 221 metër katrorë dhe 521 metra katrorë oborr. Porositësi i kësaj vile rezulton se është Klodian Zoto dhe përfituesi i vërtetë, ish-zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.

Kjo vërtetohet nga shumë detaje. Fillimisht, në një e-mail, që ndodhet në kompjuterin e Klodian Zotos, që është sekuestruar nga SPAK-u, kompania ndërtuese njofton më 20 qershor 2017 biznesmenin e inceneratorëve për ecurinë e punimeve pikërisht në vilën F.022, e njëjta që u ble me letra për shifrën e papërfillshme nga Gerian Kuka.

“I nderuar zoti Zoto, përshëndetje. Dëshirojmë t’ju vëmë në dijeni për ecurinë e punimeve në vilën tuaj F.022 në ‘Vala Mar Residences’”, shkruhet ndër të tjera. Disa muaj më vonë punimet përfundojnë dhe kompania ndërtuese i dërgon një tjetër e-mail Zotos, ku e fton të paraqitet për të marrë vilën në zotërim.

“I nderuar zoti Klodian Zoto, ju lutem të respektoni afatet për paraqitjen dhe marrjen në dorëzim të asetit tuaj në kompleksin rezidencial ‘Vala Mar Residences’ në Hamallaj”, shkruhet në njoftim. Pra, Zoto është porositësi i vërtetë. Tani, le të zbulojmë pronarin e vërtetë.

Më pas, më 31 mars biznesmeni Gerian Kuka, ia shet vilën shtetases Erjola Hoxha. Kjo e fundit është partnerja e Arben Ahmetajt, me të cilën nuk ka vendosur të bëjë celebrim për arsye të thjeshta. Erjola Hoxha figuron edhe në faturat e hoteleve të paguara nga Klodian Zoto.

“Inside Story” raporton se vlera e shitjes së kësaj banese (F.022) është 220 mijë euro. Pra, Gerian Kuka, që del si mbulesë për kompanitë e Arben Ahmetajt, i shet vilën bashkëshortes së ish-zëvendëskryeministrit. Këto dokumente, zbulojnë jo vetëm pronarin e vërtetë të vilës, por edhe fiktivitetin e veprimeve për të mbuluar një pronë të padeklaruar.

Këtu kemi sërish devijim të hetimeve nga prokurorët e SPAK-ut, të cilët jo vetëm nuk kanë verifikuar e-mailin e Zotos për vilën në Lalz, por as nuk kanë nisur kurrë një hetim sesi kjo vilë që kushton të paktën 1 milionë euro, është blerë nga bashkëjetuesja e Ahmetatj për vetëm 220 mijë euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Heroit të Muajit
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Djali tek Sheshi Skënderbej
    I pari në listë është i riu, që në daljen e tij në sheshin Skënderbej, në fillim të vitit, vendosi që të gëzonte një vajzë të mitur, të pastrehë, që po shijonte vetëm nga jashtë lodrat që ishin vendosur në qendër të Tiranës. Teksa ai e pa, që ajo nuk kishte mundësi ekonomike për të hipur në karusel, e mori dhe bashkë me të shijuan një xhiro.
    Qytetari nga Kavaja
    Kandidati i dytë është djali nga Kavaja që vendosi t’i hapte derën e shtëpisë Gabrielit, të riut që flinte në rrugët e Tiranës, pasi vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ai ishte i vetëm, pasi nuk kishte familje dhe qytetari nga Kavaja vendosi që ta strehonte në banesën e tij.
    I riu zemërgjerë
    Kandidati i tretë, është i riu nga Tirana, i cili ndaloi makinën në mes të rrugës, në një kohë me shi dhe zbriti nga automjeti për t’i dhënë një palë këpucë dhe një xhup një të moshuare, që po lypte tek makinat, që kishin mbetur në trafik. Ai u kujdes personalisht që ajo t’i vishte ato që i dhuroi dhe më pas u largua.
    Djali që ndihmoi të moshuarin
    Kandidati i katërt, është një tjetër i ri, i cili po ashtu ndaloi makinën në rrugë për të ndihmuar një të moshuar që i ishte prishur biçikleta. Ai bëri aq sa mundi, që i moshuari të rregullonte biçikletën dhe më pas të largohej drejt banesës së tij.
    Greis dhe Rakel
    Në vendin e pestë kemi motër e vëlla, Greisin dhe Rakelin, dy të vegjëlit, që detyruan nënën e tyre të ndalonte makinën për t'i dhënë disa të holla një djali të mitur që po lypte në rrugë. I mituri kishte në krahë një fëmjë të vogël dhe kjo preku më shumë motër e vëlla. Ata i lëshuan disa të holla bashkëmoshatarit të tyre dhe më pas u larguan me të ëmën.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit