Pasagjerët e vrazhdë, pelenat e bebeve dhe udhëtarët që ecin zbathur në aeroplan janë disa nga gjërat që irritojnë stjuardesat. Por edhe disa përpjekje të pasagjerëve për ta bërë më të lehtë punën e ekuipazhit mund të dështojnë.
“Cila është e vetmja gjë që bëjnë pasagjerët që ju zemëron vërtet?" pyeti Jay Roberts, i cili ka punuar si anëtar i lartë i ekuipazhit në Emirates, në faqen e tij në Facebook, A Fly Guy's Crew Network.
Stjuardesat nga e gjithë bota dhanë përgjigjet e tyre, ku shumë pajtohen se janë të mërzitura nga pasagjerët që nuk i përshëndesin kur hipin në aeroplan.
“Nuk më pëlqen kur nuk më përgjigjen kur i mirëpres në aeroplan”, tha një stjuardesë.
Një tjetër shtoi se acarohet me ata që nuk thonë “faleminderit” apo buzëqeshin teksa dalin nga avioni.
Gjithashtu të bezdisshëm për stjuardesat janë pasagjerët që flasin në telefon ose me video gjatë hipjes në avion, dhe ata që mbajnë kufje ndërsa një anëtar i ekuipazhit po përpiqet të flasë me ta.
"Gjëja kryesore që një pasagjer mund të bëjë për të nisur gabim fluturimin është të mos më shikojë ose të më injorojë kur i mirëpres", thotë Roberts për Daily Mail.
“Përveç të qenit i vrazhdë, ajo tregon mungesë respekti për rolin e stjuardes si profesionist i sigurisë. Nëse avioni merr flakë dhe duhet të evakuohet, unë do të rrezikoj jetën time dhe do të qëndroj prapa për t'u siguruar që të gjithë të dalin të sigurt. Apo nëse sëmuresh unë do të jem pranë teje dhe do të bëj gjithçka për të të shpëtuar jetën, dhe nuk të intereson që jam këtu duke të përshëndetur?” pyet ai.
Disa stjuardesa thanë se ishin të bezdisur nga pasagjerët që rrinin në radhë për të zbritur sapo të ulej avioni, ndërsa të tjerë folën për ata që hapnin kutitë e dorezave për të marrë diçka dhe më pas i linin të hapura gjatë fluturimit.
Disave nuk u pëlqen kur pasagjerët i prekin për të tërhequr vëmendjen e tyre kur duan të kërkojnë diçka, dhe të tjerë u ankuan për ata që u jepnin pelena të pista të fëmijëve të tyre.
Pasagjerët që ecin zbathur janë gjithashtu të bezdisshëm dhe një stjuardesë tha se ishte e mërzitur nga udhëtarët që vendosën të gjitha gotat dhe pjatat nga tabakaja e tyre e ushqimit njëra mbi tjetrën, duke menduar se po i ndihmonin.