Në janar të 1990, shpikësi dhe futuristi Ray Kurzweil botoi librin e tij të parë. Bëhet fjalë për “The Age of Intelligent Machines”, i cili flet për inteligjencën artificiale dhe parashikon popullaritetin e internetit. Është mbresëlënëse, nëse merret parasysh se interneti atëherë kishte vetëm 2.6 milionë përdorues në mbarë botën.
Dhe ky nuk ishte parashikimi i tij i vetëm i saktë. Sipas disa llogaritjeve, parashikimet e Kurzweil-it kanë një shkallë saktësie prej 86%.
-Në vitin 1990 ai parashikoi se një kompjuter do të mundte kampionin botëror të shahut deri në vitin 1998. Dhe në vitin 1997, Deep Blue i IBM-së në fakt mundi Garry Kasparov.
-Në të njëjtën dekadë, ai parashikoi se deri në vitin 2010, kompjuterët do të ishin në gjendje t'u përgjigjen pyetjeve duke kërkuar informacionin e disponueshëm në internet.
-Në të njëjtën kohë, ai kishte thënë se në fillim të viteve 2000, gjymtyrët ekzoskeletore do t'i lejonin personat me aftësi të kufizuara të ecnin. Kompanitë si Ekso Bionics dhe të tjera po zhvillojnë pikërisht këtë teknologji.
-Në vitin 1999 ai parashikoi se njerëzit do të ishin në gjendje të komandonin kompjuterin e tyre, thjeshtë duke folur deri në vitin 2009. Në vitin 2009, kjo teknologji ishte në fillimet e saj, por sot ajo është përsosur, siç dëshmohet nga veçori të tilla si Siri i Apple dhe Google Now.
-Në vitin 2005, ai parashikoi që në vitet 2010, zgjidhjet dixhitale do të jenë në gjendje të përkthejnë fjalimin në gjuhë të huaja në kohë reale, duke shfaqur tekstin në formën e titrave për një përdorues. Sot, aplikacionet si Google Translate bëjnë vetëm këtë dhe më shumë. Një aplikacion, i quajtur Word Lens, përdor kamerën e pajisjes për të gjetur dhe përkthyer edhe tabelat e rrugëve në kohë reale.
Çfarë parashikon ai për të ardhmen?
Sipas Kurzweil, zhvillimi i inteligjencës artificiale është i pashmangshëm dhe shumë afër. Shkencëtari vlerëson se kompjuterët do ta kalojnë me lehtësi testin Turing (i cili mat nëse një kompjuter mund të mendojë si një njeri) deri në vitin 2029.
Pasi ai të kalojë testin Turing, do të jetë në gjendje të bëjë atë që bëjnë njerëzit. Pastaj në vitet 2030 do të shkojë përtej asaj që njerëzit mund të bëjnë.
Dhe në vitin 2045, sipas Kurzweil, do të arrijmë "Singularitetin", ku inteligjenca artificiale do të kalojë inteligjencën njerëzore.
Në këtë fazë, kompjuterët super-inteligjentë do të jenë në gjendje të kenë ide që asnjë njeri nuk i ka menduar ndonjëherë dhe kështu të jenë në gjendje të krijojnë mjete teknologjike që do të jenë më të sofistikuara se çdo gjë që kemi sot.
Deri në vitin 2050, implantet e trurit do të lidhin mendjet tona me rrjetin, duke na lejuar të hyjmë në botë dixhitale që do të jenë të padallueshme nga ajo reale. Kështu, njeriu do të jetë në gjendje të fitojë funksione shtesë, si për shembull rritja e kujtesës ose inteligjencës së tij.
Në të njëjtën kohë, inteligjenca artificiale do të pretendojë të ketë vetëdije, e cila do të shkaktojë një transformim masiv të shoqërisë.
Nga ana tjetër, për shkak të përparimit masiv teknologjik, luftërat, uria dhe sëmundjet pothuajse do të zhduken plotësisht, me Kurzweil që parashikon se kjo utopi do të bëhet realitet para vitit 2050.
Nanoteknologjia do të ndryshojë botën. Nanobotët do të jenë në gjendje të kurojnë çdo sëmundje dhe të shërojnë çdo dëmtim, madje edhe ata në tru.
Vetë Kurzweil, i cili tani është drejtor i inxhinierisë në Google, shpreson të jetojë aq gjatë sa të ngarkojë veten në një kompjuter. Në këtë mënyrë, thotë ai, do të jetojë përgjithmonë.
A duhet t'i besojmë atij?
Ashtu si me Nostradamusin, parashikimet e Kurzweil janë shpesh të hapura për interpretime të ndryshme, ndoshta sepse ato ndonjëherë janë të paqarta. Madje disa parashikime që ai i konsideron të sakta, të tilla si, për shembull, që makinat vetë-drejtuese do të jenë të zakonshme deri në vitin 2009, po vihen në dyshim.
Ajo që askush nuk e konteston është se Ray Kurzweil është një gjeni. Ai ka marrë rreth 20 doktoratura nderi, ka shkruar libra, ka themeluar një sërë kompanish të suksesshme, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fushën e inteligjencës artificiale dhe ka krijuar disa nga sistemet e para praktike të njohjes së të folurit dhe skanimit të tekstit.
Revista Time e ka vendosur atë në kopertinën e saj dhe Fortune e ka përshkruar atë si "një shpikës legjendar me një histori idesh të jashtëzakonshme".