Largimi i shqiptarëve nuk ka fund/ Në vitin e shkuar 24 mijë kërkuan azil, numri i të ikurve është më i madh

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 25.01.2023, 12:54

Shqiptarët vijojnë të mendojnë se Shqipëria nuk është vendi i duhur për të ndërtuar themelet e jetës së tyre dhe të rinjtë çdo ditë e më shumë vendosin të emigrojnë dhe të vendosen në Europë, ku garancia për jetesën është më e madhe dhe kushtet janë shumë më të mira.

Të dhënat e reja, të publikuara nga Eurostat tregojnë se në gjysmën e dytë të vitit 2022, ritmet e largimit janë përshpejtuar akoma më shumë. INSTAT raporton se në periudhën janar-tetor 2022 kanë kërkuar azil në një nga vendet e Bashkimit Europian 10,975 shtetas nga Shqipëria.

Shtatori ishte muaji me më shumë fluks, pasi plot 1400 persona kërkuan azil në vendet evropiane. Në krahasim me vitin 2021, aplikimet për azil nga shqiptarët në BE janë rritur me 19%. Franca është destinacioni kryesor, me rreth 50% të aplikimeve dhe Gjermania renditet në vendin e dytë.

Nga ana tjetër, të dhënat zyrtare të “Home Office” në Britani raportojnë për plot 13,272 shqiptarë që kanë kërkuar azil, që përbën popullsinë më të madhe që ka zbarkuar në Angli në vitin e shkuar. Plot 25% e të gjithë atyre që kaluan Kanalin me gomone ishin shqiptarë.

Si përfundim, vetëm në 10 muajt e parë të vitit të shkuar plot 24 mijë shqiptarë lanë atdheun për të kërkuar azil në vendet e BE-së ose Britaninë e Madhe. Duhet theksuar se ky është vetëm numri zyrtar i atyre që janë larguar dhe jo totali, pasi një pjesë tjetër e madhe e të ikurve nuk janë prezantuar për të kërkuar azil.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit