Duket se pozitat e Ramës janë vështirësuar akoma më tej pas daljes në dritë të disa të dhënave të tjera pas arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal. Ky i fundit u arrestua në SHBA pas akuzave të lidhura me korrupsionin dhe oligarkët rusë.
Gjatë hetimeve në SHBA kanë dalë në dritë edhe emrat e dy shqiptarëve, Agron Neza dhe Dorian Duçka. Rezulton se në 9 shtator 2017 ish-drejtori i FBI është takuar me Ramën dhe dy personat e mësipërm, Agron Neza, ish-zyrtar i inteligjencës në Shqipëri tashmë shtetas amerikan, dhe Dorian Duçka këshilltar i Ramës dhe ish-zëvendës ministër i Energjisë dhe Industrisë në vitet 2013-2015.
Në vitin 2019, vetëm 2 vjet pas kësaj vizite, Charles McGonigal ka blerë një studio ligjore në Shqipëri të quajtur “LAW OFFICE & INVESTIGATION”. Kompaninë ia bleu themeluesit të saj, avokatit Shefqet Dizdari nga Tropoja. Pas blerjes, pronarë të studios ligjore u bënë Charles McGonigal (25%), Agron Neza (25%), Shefqet Dizdari (25%) dhe një shtetas tjetër i huaj i quajtur Mark Thomasrossini (25%). Pikërisht blerja e kësaj studio ligjore shënon edhe momentin kur ish-zyrtari i lartë i FBI përfshihet në interesa vetjakë biznesi në Shqipëri.
Këtu fillon dhe “nxhehet” situata. Një vit përpara se Charles McGonigal të bëhej pronar në studion ligjore shqiptare, në vitin 2018, Ministria e Energjisë e Shqipërisë shpall një garë nëpërmjet ALBPETROL për dhënien me koncesion të tre fushave naftëmbajtëse në jug të vendit. Fituese e garës u shpall kompania Transoil Group AG me administrator pikërisht avokatin Shefqet Dizdari. Ndër të tjera kjo kompani del se kishte lidhje biznesi edhe me gjigantin rus GAZPROM.
Sipas hetimeve të drejtësisë amerikane, Agron Neza, ish-zyrtari shqiptar i inteligjencës, i ka dhënë Charles McGonigal plot 225 mijë USD në tre raste të ndryshme në formë ryshfeti. Dyshimet janë se ky rryshfet është dhënë pikërisht që ish-drejtori i FBI Charles McGonigal tashmë i arrestuar, të ndikonte pranë qeverisë së Edi Ramës që koncensionin e fushave naftëmbajtëse ta fitonte kompania Transoil Group AG me administrator avokatin Shefqet Dizdari.
Dhe në fakt ndodhi pikërisht ashtu. Jo vetëm kaq, por një vit më vonë, në 2019 Shefqet Dizdari i shet ish-drejtorit të FBI 25% të aksioneve të kompanisë tjetër të tij “LAW OFFICE & INVESTIGATION”, ku bashkëpronar me 25% të tjera ishte edhe Agron Neza.