Ditën e sotme në Shijak është bërë e mundur zbulimi i një laboratori droge, ku kultivohej një sasi mjaft e madhe kanabisi. Lajmin e bën me dije Policia e Shtetit, që zbulon se përveç shtëpisë së barit, është gjetur edhe një arsenal tepër i madh armësh, kryesisht tip kallashnikov.
Ndërkohë, është arrestuar një nga rojet e bimëve narkotike, Fredi Krasniqi, 46 vjeç, dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij, Selman Krasniqi 43 vjeç.
Mësohet se aktiviteti kryhej në një banesë me katër kate në pronësi të vëllezërve, ku dy katet e fundit ishin përshtatur si laboratorë droge dhe ishte mbjellë një sasi e madhe kanabisi, që kishte çelur boçe dhe ishte thuajse gati për vjelje.
Gjithsej, në shtëpinë e barit janë sekuestruar 444 bimë kanabisi dhe plot 222 llamba elektrike, si dhe pajisje të tjera, që shërbenin për tu kujdesur për bimët. Ndërkohë, alarmues është edhe arsenali i armëve të gjetura.
Në një mur të dyfishtë u zbuluan 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik, 1 granatë dore dhe sasi e madhe municioni. Dyshohet se armët mund të jenë fshehur nga pjesëtarë të grupeve kriminale, ndërsa po ashtu po punohet për identifikimin e autorëve të vërtetë që mund të qëndrojnë pas këtij aktiviteti.