Ndërkohë që zyrtarë të shtetit janë pas hekurave dhe ka dalë sheshit se inceneratorët janë një nga koncesionet që po gllabërojnë më shumë para të shqiptarëve, inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe të Elbasanit vetëm në vitin e kaluar morën 1.8 miliardë lekë të reja nga buxheti i shtetit.
Ky informacion është publikuar nga Ministria e Financave në listënvjetore të investimeve publike. Gjithë këto para jepen “qorrazi”, teksa ende asnjëri prej inceneratorëve nuk inceneron mbetje, por vetëm i depoziton ose i djeg në mënyrë të thjeshtë, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme.
Vetëm inceneratori i Tiranës për vitin e shkuar mori plot 14.2 miliardë lekë të nga buxheti i shtetit dhe kjo shifër e rendit atë në vendet e para të listës së të gjitha projekteve për madhesinë e buxhetimit nga shteti. Deri në nëntor projekti më i financuar nga shteti ishte ndërtimi i banesave që u shembën nga tërmeti i 2019-ës me 4.7 miliardë lekë.
Projekti i dytë më i financuar ishte ndërtimi i tunelit të LLogarasë me 4,6 miliardë lekë, projekti i tretë ishte kontrata e rrugës së Arbrit me 2,9 miliardë lekë. Direkt pas këtyre projekteve vijnë inceneratorët me një total prej 1.8 miliardë lekësh për gjithë vitin 2022.
I habitshëm është fakti sesi ende nuk është pezulluar asnjë kontratë e firmosur me kompanitë që kanë marrë përsipër inceneratorët, kur dhjetëra zyrtarë e pronarë kompanish janë pas hekurave për abuzim direkt dhe vjedhje të parave në mënyrën më të zbuluar të mundshme.
Mbetjet në bashkinë e Tiranës bëhen si gjithnjë, duke i depozituar dhe i mbuluar me dhe, pa asnjë proces të pretenduar se do të kryenin inceneratorër e famshëm. Gjithsesi, fatura e paguar është disa herë më e lartë se më parë. Vlera progresive e financimit total të inceneratorëve deri në fund të 2022-shit i ka kaluar 100 milionë eurot.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT treguan se gjatë vitit 2021, vetëm 2 për qind e mbetjeve të gjeneruara në shkallë vendi u përpunuan nëpërmjet inceneratorëve. Kjo përqindje është shumë e ulët në raport me financimet që janë akorduar nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.
Pa nisur pagesat për inceneratorët, qeveria shpenzonte vetëm 3 milionë euro në vit për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe tani shpenzon një total prej rreth 15.4 milionë eurosh, shumica e të cilave përfundojnë në kasafortat e zyrtarëve të shtetit dhe ndoshta shndërrohen në “gjah” nga pastrueset e tyre.