Në qytetin Mohe të Kinës Veriore, banorët atje po përballen me temperatura ekstreme, që shënojnë deri në minus 53 gradë Celsius. Këtë e ka bërë të ditur agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Hsinhua, duke treguar se kjo temperaturë kaq e ulët shënon një rekord. Temperatura në qytetin më verior të Kinës, i cili ndodhet në kufi me Rusinë, theu rekordin e mëparshëm prej minus 52,3 gradë Celsius, e vendosur në vitin 1969, teksa po përjeton një dimër vërtetë të ftohtë edhe këtë vit.
Ndër të tjera raportohet se qyteti pa tre ditë rresht temperatura nën minus 50, teksa i ftohti ekstrem ka goditur provincën Heilongjiang, në të cilën ndodhet Mohe, me disa rajone në Hinggan që përjetojnë temperaturat më të ftohta të regjistruara. Mohe ka dëborë dhe akull për tetë muaj të vitit dhe regjistron një temperaturë mesatare vjetore prej minus 3 gradë Celsius.