Mund të themi se vetëm kanë bërë punën e tyre, por policët e komisariatit numër 2 në Tiranë gëzojnë meritën në zbulimin e vjedhjes së pastrueses Rozeta Dobi dhe djalit të saj, Havier, në shtëpinë e ish-zyrtares së qeverisë, Alda Klosi.
Së fundmi në media është raportuar se policët e përfshirë në këtë operacion kanë marrë shpërblim për punën e bërë në këtë operacion, ku u zbulua vjedhja e mbi 500 mijë eurove dhe një sasie të madhe bizhuterish të firmave të ndryshme.
Pavarësisht sesa është shuma që i është dhënë policëve, ata meritojnë një shpërblim të dyfishuar nga aktuali, pasi Alda Klosi nuk e justifikon një sasi aq të madhe parash dhe dyshohet se i ka siguruar po në mënyrë të paligjshme, me shumë mundësi nga paratë publike.
Alda Klosi po hetohet nga prokuroria për burimin e të ardhurave, të cilat dyshohet se u vodhën nga Rozeta dhe Havier Dobi. Me siguri ministrat dhe ministret e qeverisë sonë tashmë i bëjnë vetë punët e shtëpisë. E kanë marrë mesazhin mbi pastrueset.