Një ngjarje e trishtë ka ndodhur dje në fshatin Begaj të Vushtrrisë, ku një foshnjë është gjetur pa shenja jete.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë rreth orës 06:00, pasi foshnja 2 muajsh e gjysmë dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimit nga mjeku kujdestar është konstatuar se foshnja ka ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët kanë intervistuar nënën e viktimës. Bazuar në dëshminë e saj, foshnja ka fjetur në shtratin e tij dhe në mëngjes e kishte vërejtur se nuk ka shenja jete.
Momentalisht nuk dihen shkaqet e vdekjes, mirëpo me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’.