Një nga trajnerët më të mirë të futbollit në vitet e fundit, Zinedin Zidane, është i papunë prej kohësh, por muajt e fundit përflitet shumë për një rikthim të tij në arenën e madhe të futbollit, të cilën me Real Madridin e “pushtoi” për disa vite.
Lionel Charbonnier, mik i ngushtë dhe shok i vjetër i Zidane në kombëtaren e Francës, ka folur së fundmi për të ardhmen e trajnerit. Ai shprehet se Zidane nuk ka ndërmend të drejtojë një skuadër në Angli, teksa shton se Zidane me shumë mundësi do të drejtojë Brazilin ose Juventusin.
“Ai nuk do të shkojë në Angli, por në Itali, ku ka një lidhje të veçantë me Juventusin. Ai do të shkojë te ‘Zonja’ ose do të ulet në stolin e një ekipi kombëtar.
Brazilianët do të ishin shumë të lumtur të kishin një trajner si ai, që dëshiron të lërë gjurmë në futboll. Në fakt, brazilianët mendojnë se Zidane është më shumë brazilian se francez. Në Angli, megjithatë, nuk e shoh. Ai nuk flet as anglisht”, tha miku i tij.