Kushtoi 108 milionë euro për 33 km, në rrugën Kardhiq-Delvinë bien gurë 6 muaj pas inaugurimit   

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.01.2023, 21:17

Vetëm 6 muaj pas inaugurimit të vonuar të rrugës Kardhiq-Delvinë kanë dalë në pah “zullumet” e kompanive që ndërtuan rrugën.

Një qytetar ka dërguar një foto mbrëmjen e sotme ku informon se vetëm pas një shiu të lehtë, në këtë aks kanë filluar të bien gurë dhe inerte para hyrjes së tunelit të Skarficës. Kujtojmë se rruga Kardhiq-Delvinë “ka ngrënë” rreth 108 milionë euro nga buxheti i shtetit për një gjatësi prej vetëm 33 kilometrash.

Ndërtimi i saj mori vëmendje të gjerë publike si dhe u denoncua shumë herë në media për shifrat e frikshme që kompanitë që morën pjesë në ndërtimin e saj kanë përfituar. Kujtojmë se kjo rrugë është ndarë në rreth 7-8 lote dhe për çdo lot kompanitë që kanë fituar tenderin kërkonin shtesë kontrate me rreth 20% të vlerës më shumë për çdo lot.

Këto shtesa kontratash janë bërë pa garë dhe direkt me negocim mes kompanive dhe shtetit. Në media janë ngritur dyshime të forta se këto shtesa kontratash kanë shërbyer pikërisht për të financuar ryshfetet e dhëna dhe për të ndarë paratë mes firmave dhe qeveritarëve.

E gjitha kjo ka shpënë në një kosto totale prej rreth 108 milionë eurosh. E megjithatë, ndonëse janë paguar kaq shumë para nga xhepat e varfër të shqiptarëve, përsëri rruga nuk është bërë me cilësi siç duket edhe nga raportimi i qytetarit.

Në vijim mesazhi i mbërritur në redaksi:

Pershendetje Joq! Nje shi i vogel dhe perdite i njejti avaz. Bien inerte dhe gure nga mali te rruga e re Kardhiq-Delvine para hyrjes se tunelit te Skarfices. Kete foto e kam bere sot rereth 1 ore me pare. Flm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit