Tërmeti i 15 janarit, me epiqendër fshatin Xibër të Klosit, është ndier edhe në qytetin e Bulqizës. Në këtë bashki ka pasur disa dëme të lehta materiale, por nuk kanë munguar dhe dëmtimet serioze. Kështu, në Lagjien e Re në Bulqizë, punonjësit e IKMT dhe të bashkisë, i kanë vënë shiritin një pallati.
Nga pamja e jashtme, vërehen çarje të mureve bashkuese midis dy hyrjeve të pallatit, madje edhe në kollonat bazë. Konstatimi është i drejtë por e dini ku qendron paradoksi i bashkisë?
Sipas banorëve, ky pallat është shpallur i pabanueshëm që në tërmetin e vitit 2019 nga bashkia, teksa krisjet në muret e tij kanë nisur që kur nisi puna për Rrugën e Arbrit. Pas 26 nëntorit 2019, bashkia kërkoi që banorët të lënë banesat e tyre, por kjo shpërngulje nuk u realizua.
Në nëntor të vitit 2021, një tjetër tërmet preku Bulqizën dhe ky pallat sërish u shpall i pabanueshëm. Por edhe asokohe, bashkia nuk u sigurua që banorët të lënë pallatin dhe të streohen në banesa të sigurta. Së fundmi, bashkia u kujtua sërish t'u ripërmend banorëve që pas tërmetit të 15 janarit të këtij viti. Prej 4 apo më shumë vitesh, banorët po jetojnë në një pallat të çarë nga fillimi në fund, e që rrezikon jetën e tyre.
"Na kanë ardhur për të dalë nga shtëpia, po ku të shkojmë, kemi fëmijët e vegjël. Duam të drejtën, ne dalim që këtu por duam një shtëpi ku të shkojmë, të marrin masa të na strehojnë dhe ne dalim si gjithë të tjerët”, ka thënë një banor.