PARALELIZËM
Nëpër pyll, sapo dielli kishte dalë, mbi një gjethe të madhe, të gjelbër e të shëndetshme, pashë një vemje. Nuk e di se çfarë më tërhoqi aq shumë, por ndalova, u ula dhe fillova ta vështroja me vëmendje nga afër. Gjatësia e vemjes nuk ishte më shumë se 4-5 cm, me një trashësi sa një bisht molle.
Nuk i kisha dhënë rëndësi kurrë më parë një vemje dhe fillova ta vështroj lëvizjen e saj papushim mbi gjethe. Vetëm teksa po e vështroja, me shumë kujdes, kuptova që ajo nuk lëvizte kot mbi gjethe; ajo lëvizte shumë shpejt e pa pushim vetëm gojën dhe e tërhiqte trupin zvarrë, mbi disa këmbëza të vockla; vemja po hante.
Mora një degë, një shkurre dhe fillova ta prek lehtë, por ajo vetëm mblidhte pak pjesën fundore të bishtit, por nuk ndalonte së lëvizuri gojën për të ngrënë gjethen. Duke vijuar me kundrimin mbi vemjen, u bëra pak agresiv dhe po mundohesha që ta ndaloj së ngrëni gjethen; mirëpo vemja as që shqetësohej për agresivitetin tim, të cilin ia përçoja vemjes nëpërmjet degës që i kisha vënë mbi trupin e saj dhe ushtroja forcë.
Vijova një copë herë duhe e shtyrë, ngacmuar, shpuar, tërhequr dhe zhvendosur; mirëpo vemja as që e prishi tërezinë e procesit të lëvizjes së gojës me të cilën hante gjethen. Për rreth thuaj 1 orë, më gjithë vëmendjen, “dhunën”, presionin dhe mundimet e mia për ta ndaluar vemjen së ngreni, e i kishte vajt në gjysmë gjethes së shkretë e cila nuk bënte asgjë edhe pse po i vinte fundi, ajo vijonte ta mbante vemjen sipër vetes.
Vemja nuk pushoi së ngrëni për asnjë moment gjethen, me gjithë përpjekjet e mia me forcë; në atë moment më erdhi në mendje… Po nëse mbi të gjitha gjethet e pemëve nëpër botë të kishte nga një vemje çfarë do të ndodhte?! Pemët do zhdukeshin brenda pak kohe.
Por mendimi më hodhi në një tjetër mendim dhe për një moment imagjinova sikur vemja të kishte trupin e një elefanti… ajo do e kishte gojën më të madhe dhe me një kafshatë do hante të gjithë pemën.
Ndërkohë që unë isha futur në botën time të meditimit, koha ecte, vemja nuk ndalonte së ngrëni, kishte kaluar tashmë 1 orë e gjysmë dhe vemja i ishte afruar kërcellit të gjethes; në atë moment një degë shkëputet nga lart pemës dhe e këputi gjethen thuajse të mbaruar dhe e shtypi duke e copëtuar bashkë me vemjen.
Për një moment e harrova gjethen dhe u ndjeva keq pasi m’u para syve të mi pashë vemjen e copëtuar, ndërsa nga barku i saj i çarë doli në formë shtëllunge një gjë e gjelbër me shkumë të bardhë të gjethes apo të gjetheve që vemja kishte ngrënë.
Ndonjëherë forca medituese e mendjes nuk mund të kontrollohet dhe ajo të shpie në rryma mendimi që s'do të mund ta përfitoje në asnjë mënyrë tjetër. Kështu bëra një lidhje abstrakte, por tepër konkrete ndërmjet asaj që ndodhi me gjethen, vemjen dhe degën e shkëputur me shumë gjethe të tjera dhe masës popullore shoqërisë shqiptare.
Gjethja përfaqësonte qytetarët, vemja përfaqësonte pushtetarët/politikanët, pema popullin mbarë, ndërsa dega përfaqësonte organizimin civil të një pjese të mirë të shoqërisë; kështu rezulton se: pushtetarët/politikanët nuk pushojnë së vjedhuri në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë, për nevojat e tyre në terma financiarë dhe ekonomikë, pasuritë e popullit, pasuritë publike; populli në mënyrë individuale nuk reagon sepse ndihet i pafuqishëm dhe pranon të rrijë pa reaguar derisa të mos i ngelet asgjë.
Vemja, pra pushtetarët dhe politikanët mund të ndalojnë së vjedhuri vetëm nëse një pjesë e mirë e shëndetshme dhe vetë-organizuar e shoqërisë e cila është e gatshme të sakrifikojë veten, sikurse bëri dega që u shkëput nga lart dhe mori para dhe copëtoi gjethen dhe vemjen.
Nëse i referohemi shkencës se semasiologjia dhe semantika do të arrijmë të kuptojmë se kemi plot shembuj në jetën e përditshme se si mund të mbrojmë shoqërinë, si mund të mbrojmë të ardhmen tonë, si mund të krijojmë një shoqëri të shëndetshme, demokratike dhe proporcionale.
Duhet vetëm të ndalojmë, të kuptojmë… pra të vetëdijësohemi dhe të veprojmë. E nesë nuk e bëjmë këtë, vemjet qe kemi në pushtet nuk do të ndalojnë së ngrëni gjithësecilin prej nesh: Mua që po shkruaj, ty që po lexon, atë që mënjanohet pa lexuar si dhe atë që do më shajë, etiketojë dhe bullizojë.