Eurostat: Të rinjtë shqiptarë kanë të ardhurat e disponueshme më të ulëta në Europë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 16.01.2023, 08:02

Ikja e të rinjve është kthyer në një problem vërtet shqetësues për vendin, duke ndikuar tregun e punës, konsumin dhe në afatin më të gjatë duke rrezikuar produktivitetin, mirëqenien ekonomike dhe sistemin e pensioneve.

Sipas Monitor, të dhënat e Eurostat hedhin dritë mbi një nga arsyet e kësaj ikjeje: të ardhurat e ulëta. Sipas shifrave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, të rinjtë shqiptarë të grupmoshës 16-24 vjeç kanë të ardhurat e disponueshme më të ulëta, jo vetëm në Europë, por edhe në raport me shtetet e tjera të rajonit.

Eurostat ka publikuar treguesin e të ardhurave mediane të disponueshme që mat të ardhurat totale të një familjeje, pas taksave dhe zbritjeve të tjera, që janë në dispozicion për shpenzim ose kursim, pjesëtuar me numrin e anëtarëve të familjes (të konvertuar në të rritur).

Treguesi shprehet sipas standardeve të fuqisë blerëse për banor (PPS) dhe është i detajuar krahas totalit edhe sipas grupmoshave.

Për grupmoshën shqiptare 16-34 vjeç, të ardhurat mediane janë 4,226 PPS, nga 16,385, që është mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën grupmoshë, ose sa rreth 26% e mesatares europiane. Të konvertuara në monedhën kombëtare, sipas Eurostat, shifra e të ardhurave mediane vjetore për banor është 299 mijë lekë. (mediana nënkupton që gjysma e popullsisë ka të ardhura të disponueshme më të ulëta se 299 mijë lekë dhe gjysma më shumë). Ndërsa të ardhurat mesatare janë 346 mijë lekë, po sipas Eurostat.

Të rinjtë në rajon kanë më shumë të ardhura të disponueshme. Për Maqedoninë e Veriut, treguesi është 5,421 PPS, ose 28% më e lartë sesa në Shqipëri.

Në Serbi, të ardhurat e të rinjve të krahasueshme sipas fuqisë blerëse janë 6,410, ose 52% më të larta sesa të të rinjve shqiptarë.

Në Mal të Zi, treguesi është 6,050 PPS, ose 43% më i lartë sesa grupmosha 16-24 vjeç në Shqipëri. Të dhënat e Eurostat për rajonin janë për vitin 2020, ndërsa mungojnë shifrat për Kosovën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit