Sulmoi ushtarët në Gramsh/ Çudit spiunia Timoveva: Mos më ekstradoni në Rusi, atje ndihem e rrezikuar

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 11.01.2023, 16:09

Svetlana Valerevna Timoveva, e arrestuar para pak muajsh për sulmin ndaj ushtarëve në ish-uzinën e armëve në Gramsh, ka kërkuar të mos ekstradohet në Rusi, pas kërkesës së këtij shteti për gjykimin e saj në atdhe.

Ajo ka refuzuar të pranojë me dëshirë ekstradimin e saj në Rusi dhe këtë vendim e argumenton me faktin se ajo i trembet një gjykimi jo të drejtë për shkak të pikëpamjeve të saj ishin kundër Putinit dhe kundër sulmit të tij në Ukrainë. Ndërkohë, ajo po hetohet për spiunazh në favor të shtetit rus.

“Nuk dua, nuk dëshiroj të ekstradohem për në Rusi, pasi Rusia më kërkon në bazë të vendimit te tij gjyqësor, por unë rrezikoj që t’i nënshtrohem dënimeve të tjera për veprime që nuk janë shkelje të ligjit por që ndaj personit tim do veprohet në këtë mënyrë.

Kjo për faktin që unë kam qenë kundër sulmit në Ukrainë. Në lidhje me qëndrimin politik të Putinit mbi luftën në Ukrainë unë kam dalë hapur në rrjetet sociale.

Nëse unë do të ekstradohet në Rusi unë do të persekutohem për shkak të bindjeve të mia sociale, politike, përkatësisë kombëtare, respektimit të ndarjes ndërmjet shteteve. Personi im nuk është i sigurt në shtetin rus, pasi kërkon të më dënojë për një çështje ku unë jam dëshmitare”, mësohet të ketë thënë Svetlana Valerevna Timoveva, sipas Top Channel.

Deklarimi i saj i është shtuar dosjes së plotë dhe gjykata e Elbasanit do të shqyrtojë ekstradimin e mundshëm të saj. Disa javë më parë Rusia i përcolli Shqipërisë kërkesën për ekstradim në ngarkim të Timofevas, me akuzën e veprës penale të “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”.

Në fund të gushtit të vitit të shkuar Svetlana Valerevna Timoveva bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedis Alpatov tentuan të hynë në ish-uzinën ushtarake në Gramsh dhe sulmuan me spraj djegës rojet ushtarake të objektit. Pas arrestimit dhe ngritjes së akuzave për spiunazh, atyre u është caktuar masa e arrestit me burg, e lënë në fuqi edhe nga apeli i Durrësit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit