Policia ka arrestuar në Portin e Durrësit një 25 vjeçar të akuzuar për veprën penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. I riu u kap në flagrancë duke i dhënë një turkeje pasaportë false. I riu me iniciale B.J. ishte banues në Zvicër.
Njoftimi Policisë:
PKK Port Durrës / Evidentohet dhe goditet një rast tjetër i dhënies ndihmë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. U kap në flagrancë teksa pajiste një shtetase turke, me pasaportë false, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 25-vjeçari. Shërbimet e PKK Port Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, bazuar në analizën e riskut dhe si rezultat i përdorimit të pajisjeve bashkëkohore dedektuese, kanë konstatuar dhe goditur një rast tjetër të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Si rezultat, u vu në pranga shtetasi B. J., 25 vjeç, banues në Zvicër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. 25-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në portin e Durrësit, teksa i jepte një shtetaseje turke, një pasaportë false, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.