Zbardhet dëshmia e Havier Dobit/ Tregon ç’bëri mamaja pasi grabiti kasafortën plot me para

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 09.01.2023, 15:17

Vjedhja e parave në shtëpinë e Alda Klosit, e cila ka qenë drejtoreshë e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur drejtohej nga Arben Ahmetaj dhe më pas shefe kabineti e Ministrisë së Rindërtimit, nga një pastruese e ndihmuar nga djali i saj, do ishte e denjë për një skenë filmi.

Në dëshminë e plotë që ka dhënë i arrestuari Havier Dobi, 23-vjeç, ka treguar të gjithë itinerarin e ditës 15 dhjetor ku dërgoi të ëmën në banesën e Aldës dhe më pas vodhën kasafortën.

Ai tregon se të ëmën e ka pritur në makinë për rreth 10 minuta dhe mamaja e tij doli nga banesa me një çantë shkolle në dorë.

Më pas kur kanë arritur te lagjja e tyre, Havieri ka treguar se ëma ka nxjerrë nga çanta një kasafortë dhe e ka hedhur në koshin e mbeturinave.

Për paratë e vjedhura mamaja i kishte treguar disa ditë më vonë, ndërsa me një pjesë të tyre u blenë dy mjetet të tipit “Benz”, të cilat ai i reklamonte në rrjetet sociale, një me ngjyrë të zezë dhe tjetri me ngjyrë te bardhë.

“I është marrë deklarim të dyshuarit Havier Dobi i cili ka deklaruar se, në datën 15.12.2022 rreth orës 09:00 ai ka shkuar me makinën e tij Mercedes- benz ngjyrë gri me targa AA390VT së bashku me mamanë e tij tek Rruga e ”Kosovarëve” pasi mamaja e tij punonte si sanitare tek një banesë në komleksin O***.

Pasi kanë vajtur në Rrugën e ”Kosovarëve” ka parkuar makinën dhe ka qëndruar rreth 20 minuta brenda në makinë. Më pas ka zbritur nga makina dhe ka vajtur tek hyrja e pallatit për të parë vendin që i kishte thënë mamaja e tij dhe më pas është kthyer përsëri në makinë. Nga aty pak minuta më pas ka dalë mamaja nga makina dhe ka shkuar te banesa ku ajo pastronte. Ka qëndruar rreth 10-të minuta dhe pasi ka dalë me vete ka patur një çantë shkolle adidas ku ka hipur në makinë dhe kanë zbritur në lagjen ku ata banojnë. Në momentin që kanë arritur te lagja ka vënë re se mamaja e tij ka nxjerrë nga çanta një kasafortë dhe e ka hedhur te koshat e plehrave.

Disa ditë më vonë mamaja i ka treguar një shumë parashë me prerje 500, 200 eurosh, me prerje 100 dollarësh dhe 50-tëshe lekë, ku i ka sqaruar se këto lekë ajo i kishte marrë te banesa te Rruga e ”Kosovarëve” tek banesa ku ajo jetonte si sanitare. Deklaron se me një pjesë të këtyre parave kishte blerë dy makina tip Mercedes benz. Njëra ngjyra e bardhë me targa AA907LZ ndërsa tjetra ngjyrë e zezë me targa AC055HD”, thuhet ndër të tjera në dosjen e prokurorisë, siguruar nga Top Channel.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit