Ditën e djeshme, policia dhe forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në banesën e Ervis Martinaj në Surrel, Tiranë.
Në këtë banesë, policia nuk ka arritur të gjejë asnjë gjurmë të Martinajt, i shumëkërkuari i drejtësisë, i cili rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit.
Sipas “OraNews”, hetuesit kanë zbuluar se shtëpia në të cilën mendohej se fshihej Martinaj ka certifikatë pronësie me emrin F. Vuthaj.
Ky i fundit rezulton të jetë pronari i kompanisë së ndërtimit “Vuthaj Sh.p.k”. F.Vuthaj ka treguar para hetuesve se vila ishte blerë prej tij në vitin 2017 dhe nga kjo periudhë e në vijim ja ka dhënë me qera përmes një kontrate qeraje, Ervis Martinaj.
Por pavarësisht këtyre pretendimeve policia dhe SPAK thonë se emri i F. Vuthaj, është vendosur në çertivikatën e pasurisë së kësaj prone për të maskuar pasuritë që disponon “mbreti” i lojërave të fatit.
Gjatë kontrolleve në këtë banesë, policia nuk ka gjetur sende të paligjshme por vetëm disa dokumente. Mes këtyre dokumenteve është gjetur edhe një pasaportë në emër të shtetasit Admir Koca, por me fotografi të biznesmenit Ervis Martinaj.
Pasaporta rezulton të jetë e kombësisë kosovare dhe është i njëjti dokument që policia dhe prokuroria kanë sekuestruan në banesën e tij, pas masakrës në ish-bllok në datën 4 tetor 2018. Pasaporta pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mbi origjinalitetin e saj.