Nga “zëvendësimi me robotë” te rritja e pagave, si po e zgjidhin bizneset krizën e fuqisë punëtore

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 08.01.2023, 08:31

Që nga rritjet e forta të pagave për punonjësit vendas, investimet në teknologji që do të zëvendësojnë punën e njerëzve për industri të caktuara, e deri te hapja e linjave të reja prodhuese në zonat rurale, këto janë disa masa që vetë sipërmarrësit shqiptarë po marrin për zgjidhjen e mungesës së fuqisë punëtore.

Sipas Monitor, problematika me mungesën e fuqisë punëtore, që ka nisur në 3-4 vitet e fundit, është kthyer në shqetësim për ndërmarrjet shqiptare. Të gjithë sektorët e ekonomisë janë në vështirësi, si prodhuesit edhe ato të shërbimeve. Emigracioni masiv i të rinjve mbetet shkak i numrit të ulët të burimeve njerëzore.

Pjesa më e madhe e bizneseve po kuptojnë peshën e kapitalit human, për këtë arsye kërkojnë të përmirësohen në drejtim të pagave. Konkretisht, rritja e lartë e pagave mbi nivelin e 1 mijë eurove do të ndalte emigrimin e të rinjve.

Për këtë arsye, sipërmarrësit këshillojnë që qeveria të ndërhyjë me lehtësitë fiskale për pagat e punonjësve të kualifikuar, duke mos i tatuar deri në pragun e 100 mijë lekëve dhe për trajnimin e aftësive profesionale të punonjësve të rinj, të mos paguhet tatim mbi të ardhurat.

Kërkesa e bizneseve vjen në një kohë kur ata po vuajnë shtimin e kostove nga shtrenjtimi i energjisë, karburantit dhe gazit dhe rënien e fortë të konsumit.

Për shkak të mungesës së lartë të fuqisë punëtore, disa sektorë kanë qenë të detyruar të rrisin fondin e pagave, ku më e fortë ka qenë te baret dhe restorantet gjatë sezonit turistik.

Rritja e pagave, e ndikuar nga mungesa e fuqisë punëtore dhe jo për shkak të zgjerimit të aktivitetit, në një kohë kur konsumi është tkurrur nga rritja e çmimeve dhe largimi i popullsisë, pritet të sjellë shtrenjtim të lartë të çmimeve, por edhe mbyllje të bizneseve. Të parët që paralajmërojnë çmime “të kripura” janë baret dhe restorantet.

Për të rritur cilësinë e prodhimit, si dhe për të parandaluar efektet e krizës së mungesës së fuqisë punëtore, fabrika e prodhimit të tullave në Maminas së Durrësit ka investuar në linjën e re të prodhimit të tullave dekorative, duke blerë 6 robotë. Investimi për blerjen e një roboti ka shtuar 200 mijë euro.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit