Joq dhe qytetarët bëjnë punën e policisë/ Pas publikimit, gjobitet polici me Range Rover

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.01.2023, 21:24

Më herët JOQ ALBANIA denoncoi rastin e gjobitjes së qytetarëve të thjeshtë për parkimin, ndërkohë që punonjësit e Policisë së Shtetit shpëtojnë pa asnjë problem thjesht me një stemë në kroskot.

Pas këtij denoncimi, Policia e Tiranës ka gjobitur shoferin e mjetit tip “Range Rover” i cili kishte vendosur një stemë Policie për të shpëtuar nga gjoba e “kolegëve”.

Shoferi i “Range-Roverit” është ndëshkuar me masë administrative 2000 lekë të rinj pasi ka parkuar në shkelje të sinjalistikës rrugore.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen disa automjete të ndëshkuara me masë administrative, ndërsa një automjet që në kroskot kishte të vendosur një stemë Policie, nuk ishte ndëshkuar me masë administrative, ju sqarojmë se:

Policia Rrugore e Tiranës, më datë 05.01.2023, në orën 17:17, gjatë monitormit të qarkullimit rrugor, ka konstatuar automjetin tip "Range Rover", që mbi kroskot kishte të vendosur një stemë të Policisë, dhe ndodhej i parkuar në shkelje të sinjalistikës rrugore.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, kanë ndëshkuar në mungesë, me masë administrative 2000 lekë të rinj, drejtuesin e automjetit që kishte parkuar automjetin në kundërshtim me sinjalistikën rrugore, në vendin ku është shfaqur në videon e publikuar në rrjete sociale, së bashku me disa automjete të tjera.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit