Pas videos në JOQ/ Policia e Durrësit procedon mjek Ilirin: Mori para për transfuzionin e gjakut!

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 06.01.2023, 13:18

Policia e Durrësit ka reaguar në lidhje me videon e publikuar dy ditë më parë nga JOQ ALBANIA, ku një mjek, në Bankën e Gjakut në spitalin e Durrësit, mori para për t’i dhënë shërbimin e transfuzionit të gjakut një qytetareje.

Mjeku mori paratë dhe shënoi sikur pacientja e kishte dhuruar gjak. Ndërkohë, policia ka proceduar edhe qytetaren, e cila ka dhënë para për shërbimin e marrë, sipas ligjit.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një mjek i Bankës së Gjakut në spitalin e Durrësit, i cili kundrejt pagesës 5000 lekë të rinj, ndihmon një paciente për të marrë shërbimin e transfuzionit të gjakut të dhuruar nga qytetarë të ndryshëm, ju bëjmë me dije se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, pas transmetimit të pamjeve, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. Q., 50 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Durrës, me detyrë Teknik gjaku, në spitalin rajonal të Durrësit, për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe A. S., 45 vjeçe, banues në lagjen nr. 17, Durrës, për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive të ndryshme, si dhe i siguron ata se strukturat vendore dhe qendrore të Policisë, do të reagojnë menjëherë me qëllim nxjerrjen e autorëve, përpara përgjegjësisë ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit